Gazetar: Suad Bajrami
Prokuroria nëpërmjet komunikate njofton se procesi zgjedhor në përgjithësi po kalon qetë dhe pa shkelje të rënda. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme ka pasur disa indikacione për shkelje eventuale të procesit zgjedhor. Në katër prokurori të vendit ka indikacione për ryshfet gjatë zgjedhjeve, ndaj të cilave po punojnë prokurorët.
“Gjatë ditës së djeshme, në disa ngjarje të veçanta për indikacione për ryshfet gjatë zgjedhjeve janë evidentuar në Prokuroritë e Velesit, Prilepit, Kriva Pallankës dhe Sveti Nikole. Në të gjitha rastet, prokurorët po ndërmarrin masa për shqyrtimin e situatës”, informojnë nga Prokuroria.
Gjithashtu ka pasur edhe raportime për shkelje të heshtjes zgjedhore, megjithatë sipas Prokurorisë deri më tani ka mjaftë pak ngjarje të cilat mund të kenë karakteristika të veprës penale.
Nga ana tjetër, prokurori kujdestar i Strumicës është njoftuar gojarisht për shtypje të gabueshme të fletëvotimeve në Novo Sellë dhe është kryer bisedë. Është njoftuar KSHZ që ta tërheqë materialin, por nuk ka elemente të veprës penale.
Komisioni i Përkohshëm i Prokurorisë mbetet i hapur për të ndjekur situatën, ndërsa në të gjitha Prokuroritë janë angazhuar prokurorë kujdestarë. Të gjitha dyshimet eventuale do të shqyrtohen dhe do të trajtohen me prioritet, njoftojnë nga Prokuroria.
Nga ana tjetër nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se prej fillimit të heshtjes zgjedhore deri sot hapjen e kutive, respektivisht sot në ora 7 nëpër sektorët e Punëve të Brendshme të vendit janë paraqitur 20 raste të shkeljes së heshtjes zgjedhore, por pas ndërmarrjes së masave, Policia nuk ka arritur t’i konstatojë paraqitjet për 15 ngjarje.
Gjithashtu janë regjistruar edhe 47 publikime në rrjetet sociale gjatë kohës së heshtjes zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me thirrje për votim për kandidatë të caktuar, por edhe janë publikuar, video, fotografi dhe aktivitete partiake nëpër shtabe partiake.
Votimi i personave të sëmurë, banorëve të shtëpive për të moshuar dhe të burgosurve gjatë ditës së djeshme sipas Policisë është zhvilluar me rregull.
Rikujtojmë që sipas Kodit Penal, për veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor dënimet lëvizin 1 deri në 5 vjet burg. Veprat më të shpeshta të cilat ndiqen nga organet e zbatimit të ligjit janë mashtrim zgjedhor, pengim të zgjedhjeve dhe votimit, shkelje të fshehjes së votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor e të tjera./ Alsat.mk








