Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë për doganierët e kapur me drogë
Gazetar: Adrian Kerimi
Prokuroria Publike ka ngritur akuzë ndaj 7 personave në mesin e të cilëve edhe nëpunës të doganave për “Kontrabandë” si dhe “Prodhim dhe fabrikim i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope”, shkruan Alsat.
Akuza e shtruar lidhet me dy sasitë e substancave narkotike të nxjerra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në nëntor të vitit kaluar të destinuara për në Kosovë.
“Më datën 02.11.2021 nga kontrolli doganorë në Aerorpotin e Shkupt, pa kontroll doganorë janë nxjerrë 29 lloje të tabletave me sasi prej 190,90kg. Janë dërguar në Republikën e Kosovës, ndërsa janë kapur nga policia kosovare në Zhegër. Rasti i dytë ka ndodhur tre ditë më vonë (05.12.2021) kur 13 paketime me tabletat e llojit “Decancit SR” prej 1015kg dhe me vlerë prej 4.8 milion denarë kanë kaluar nga terminali doganorë i Aeroportit të Shkupit”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Në akuzën e Prokurorisë Publike figurojnë katër nëpunës të Doganës, ndërsa për një person është ndërprerë ndjekja penale.
“Doganierët A.ZH, L.L, D.K.SH dhe XH.SH kanë vepruar në kundërshtim me kompetencat dhe detyrat e tyre zyrtare dhe nuk kanë kryer kontroll të detajuar duke krahasuar gjendjen faktike me pretendimet në deklaratë, nuk kanë kryer kontrollin e duhur dhe pa hapur paketimet kanë konstatuar se malli në pako ishte identik me ato të përshkruara në dokumentet e deklaratës doganore dhe se procedura doganore ka përfunduar. Duke vepruar kështu, doganierët kanë mundësuar kalimin e mallit të ndryshëm nga ai i deklaruar përmes linjës doganore”, thonë nga Prokuroria Publike.
Për kontrabandë dhe trafikim të lëndëve narkotike do të ndiqen penalisht shtetasit me inicialet B.A, M.A dhe I.A, ndërsa punonjësit doganorë do të ndiqen vetëm për veprën penale “Kontrabandë”./Alsat.mk








