Promovimi i komunitetit politik evropian, më 6 tetor
Promovimi i komunitetit politik evropian, më 6 tetor

Gazetar: Luka Andreev
Ideja e Makronit po realizohet në praktikë. Në fillim të tetorit, në Pragë do të mbahet samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian të sapoformuar. Sipas nismëtarëve, qëllimi i kësaj organizate të re është stabiliteti dhe siguria në kontinent. Ambasadori Gjorgi Filipov, për Alsat vlerëson se Komuniteti Politik Evropian është produkt i vetëdijes për nevojën e unitetit evropian. Sipas Filipovit, ky komunitet do të mundësojë dialog për sigurinë në Evropën gjeografike.
“SHBA dhe Federata Ruse nuk do të jenë të pranishëm këtu. Evropa po ndërgjegjësohet se është e nevojshme të ndërtojë mundësitë e saj, për pavarësi ekonomike, energjetike dhe mbrojtëse nga fuqitë e tjera të mëdha në botë. Kjo është ideja bazë e këtij komuniteti politik, siç e kuptoj unë. Nuk do të jetë asnjë alternativë për BE-në, e cila ka synime të ndryshme”, tha Gjorgi Filipov – diplomat.
Nisma Makronit u kritikua kur u njoftua fillimisht në maj të këtij viti. Shumica e interpretuan atë si ligën e dytë të Bashkimit Evropian, dhe në vend u ngrit një debat nëse Komuniteti Politik Evropian është një zëvendësues i anëtarësimit të plotë në BE. Ambasadori Filipov, e përshëndeti pjesëmarrjen e Maqedonisë. Ai beson se ky asociacion, nëse krahasohet, i ngjan më shumë OSBE-së, sesa BE-së.
“Kjo është një organizatë për dialog, për siguri, për bashkëpunim të zgjeruar në energjetikë, domethënë një bashkësi kombesh. Komuniteti Politik Evropian nuk është diçka që është e barabartë me Bashkimin Evropian, i cili është një union ekonomik dhe politik dhe ka iniciativën të rritet në një Organizatë të Shteteve të Bashkuara Evropiane”, shtoi ai.
Ideja për krijimin e Komunitetit vjen pas luftës në Ukrainë dhe kërkesës së Kievit për anëtarësim në BE. Sipas ambasadorit, ndërhyrja ruse në Ukrainë nuk është arsyeja kryesore e krijimit të këtij komuniteti. Përveç 27 vendeve anëtare të BE-së, në samitin e parë në Çeki pritet të marrin pjesë edhe Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë- Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Lihtenshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina dhe Britania e Madhe./Alsat.mk