Propozimi francez/ Grup punë ose koordinime në kuvend

Propozimi francez/ Grup punë ose koordinime në kuvend

Gazetare: Fatlume Dervishi

Grup i posaçëm pune ose koordinime në Kuvend, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja me interpretime të ndryshme të procesit koordinues që do të vijojë për të ashtuquajturin propozim francez, shkruan Alsat.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se qeveria do t’i dorëzojë në institucionin ligjvënës të gjitha dokumentet dhe Kuvendi do ta marrë vendimin final nëse do ta pranojë atë ose jo.

“Të gjitha dokumentet që tashmë janë publikuar dhe një tjetër që do të publikohet do të dërgohen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në Kuvend ka përfaqësues nga të gjitha grupet parlamentare dhe ata atje do të kenë takime ku do të marrin pjesë përfaqësues nga radhët e tyre dhe të cilët duhet të diskutojnë për konkluzionet në lidhje me propozimin evropian. I takon Kuvendit të vendosë a do të marrim vendim për t’i hapur negociatat dhe me çfarë konkluzionesh”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Por, VMRO-DPMNE-ja e interpreton ndryshe. Thonë se me kërkesë të tyre do të formohet grup pune me dy përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, dy të LSDM-së, dhe nga një përfaqësues nga BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe një parti tjetër. Takimin e parë e presin nesër.

“Ky proces vjen pas thirrjes së liderit të opozitës, Hristijan Mickoski, për të diskutuar ndryshimet që do të përmirësojnë propozimin dhe për të futur vërejtjet që janë në tekst që janë të dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare. Qëndrimet e VMRO-DPMNE-së dhe vërejtjet që do të bëhen do t’i pasqyrojnë qëndrimet që Mickoski i shpalli pas takimit me Kovaçevskin. Propozimi i VMRO-DPMNE-së do të jetë në drejtim të mbrojtjes së identitetit, gjuhës, por edhe shkëputjes nga kërkesat megalomane bullgare që kanë të bëjnë me mohimin e historisë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Partitë më të vogla të koalicionit të shumicës, Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, Lidhja Demokratike dhe Partia Liberal-demokrate pas takimit te Presidenti Stevo Pendarovski kërkuan konsensus me të gjerë politik për propozimin.

Ata kërkuan garanca për çështjet që i shqetësojnë dhe paralajmëruan se nëse nuk i marrin, do të votojnë kundër dhe do lëshojnë shumicën. Ndërkohë, nga partitë më të vogla, mbështetje deklaroi Partia e re Socialdemorkate e Goran Misovskit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button