Protesta para Qendrës Shtetërore për Provime

Protesta para Qendrës Shtetërore për Provime

Gazetare: Evi Shkopi

Kandidatët për drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme protestuan sot para Qendrës Shtetërore për Provime, për shkak të zvarritjes së procedurave për trajnimin dhe provimet, shkruan Alsat.

Ata thonë se tashmë gjashtë muaj kanë paguar por akoma nuk i kanë ftuar për trajnime

“Përveç kësaj, nuk kemi marrë asnjë reagim individual për pyetjet e bëra në lidhje me datat e fillimit të trajnimit. Nga këtu ju bëjmë thirrje të respektoni ligjet dhe menjëherë të nisë procesi për trajnimet për drejtor, në të kundërt do të jemi të detyruar të ndërmarrim masa të tjera”, tha Ksenija Vrameva- kandidate.

Kandidatët e vlerësojnë si tendencioze qasjen e Qendrës Shtetërore për Provime. Thonë se do të ankohen edhe tek Avokati i Popullit.

“Drejtoresha konsideron se duhet të organizohen se paku 2 trajnime në vit. Nuk përcaktojnë qartë se kur do të ndodhë kjo. Pyetja që parashtrohet është se përse të mos ketë më shumë trajnime brenda një viti, sepse siç e dini ne jemi paraqitur më shumë se 50 kandidatë”, u shpreh një kandidat.

Nga Qendra Shtetërore për Provime thonë se veprojnë në bazë të dispozitave ligjore dhe se provimet dhe trajnimet realizohen rregullisht.

Sipas tyre provimi i fundit është mbajtur në dhjetor, ndërsa trajnimi i radhës duhet të mbahet në mars. Trajnimet në fjalë kushtojnë rreth 500 euro./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button