Protestë e sindikatave, kërkohet rritje e pagës për 30%

Protestë e sindikatave, kërkohet rritje e pagës për 30%

Gazetar: Ile Petrevski

Punonjës të disa institucioneve shtetërore protestuan para godinës së Ministrisë së Financave. Ata ankohen se 70 për qind e të punësuarve në Ministrinë e Kulturës, Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencinë e Filmit marrin pagë më të ulët se mesatarja, e cila është 34 mijë denarë. Diferenca në pagë e këtyre personave është rreth 10 mijë denarë me të punësuarit në institucionet e tjera që punojnë në të njëjtën veprimtari. Ata kërkojnë nga autoritetet që të mos lejojnë trajtim të pabarabartë të punonjësve në institucionet shtetërore.

“Tashmë kemi përgatitur propozim-tekst të kontratës kolektive, që parashikon një rritje objektive dhe korrekte të pagave të punonjësve, për çka Ministria e Financave ka dhënë mendim negativ vitin e kaluar”, deklaroi Branko Kostovski, kryetar i Sindikatës së Ministrisë së Kulturës pranë SPOGJ.

Punonjësit e revoltuar thonë se Ministria e Kulturës u shërben 70 institucioneve nacionale dhe 49 lokale. Vetëm për konkurse në duart e tyre kalojnë rreth pesë mijë aplikacione.

“Një bashkëpunëtor i ri në Ministrinë e Kulturës merr 22 mijë denarë. Me rritjen e re të pagës minimale dhe stazhin, kolegët me shkolla të mesme tashmë po marrin më shumë se ata që kanë kryer fakultete e që bëjnë punë më të përgjegjshme”.

“Me çfarë rritje do të ishit të kënaqur?”

“Epo, 30 për qind, 10 apo 12 mijë denarë”.

Në takim me ministrin e Financave, Fatmir Besimi është përgjigjur se Qeveria po ndërmerr masa për rritjen e pagave dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve”.

“Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave regjistrojnë rritje të pagës mesatare neto pothuajse në të gjitha aktivitetet”, thonë nga Ministria e Financave.

Por sipas SPOGJ-it, propozim-ligji për pagat në sektorin publik është antikushtetues sepse i jep shumë kompetenca ministrit të financave dhe kërkojnë që ai të tërhiqet menjëherë. Nga ana tjetër, qeveria pretendon se ligji i ri do të sjellë zgjidhje të përhershme për pagat e administratorëve dhe nëpunësve publikë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button