Gazetar: Suad Bajrami
Me flamuj, simbole shqiptare dhe thirrje për liri e drejtësi, disa mijëra qytetarë nga Maqedonia, Kosova dhe rajoni sot protestuan në Sheshin Skënderbeu në Shkup në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së që gjykohen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati theksoi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë kriminale, por ka mbrojtur kombin, ndërsa theksoi që ish krerët e UÇK-së po gjykohen me materiale të falsifikuara dhe dëshmitarë të rrejshëm.
“Ne sot kërkojmë drejtësi, jo drejtësi politike. Ajo Gjykatë më shumë është drejtësi politike dhe u ngjanë gjykatave të ish Jugosllavisë, të sistemit të kaluar të Titos. Kjo gjykatë sot merret me fakte të falsifikuara, fabrikuara, të cilat fare nuk qëndrojnë. Unë isha vetë dëshmitar në atë gjykatë ku isha burgosur unë dhe shokët e mi me Nasim Haradinajn dhe shumë të tjerë. Ne e dimë se çfarë kemi dëgjuar aty, gjithë ato gënjeshtra dhe rrena nga dëshmitarët të cilët trupin e kanë në Kosovë kokën e kanë në Serbi…”, deklaroi Hysni Gucati, Kryetar i OVL-UÇK.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi që protesta e sotme nuk është kundër Maqedonisë, pasi UÇK nuk ka qenë kundër asnjë populli.
“Ushtria jonë, nuk ka qenë kundër asnjë populli, as popullit serb. Demonstrata e sotme, nuk është kundër shtetit të Maqedonisë sepse mu këta që ndodhen në këtë Gjykatë, kanë kontribuuar në stabilitetin, në paqen, në ardhmërinë pikërisht të këtij shteti sepse kanë qenë drejtues të institucioneve të rëndësishme. President të shtetit, kryeministra, kryetar kuvendi dhe sigurisht me dhjetëra e qindra marrëveshje kanë hedhur firmat për një Maqedoni më të prosperuar dhe jo të frikësuar”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI.
Veterani, Hazgan Haklaj dhe e bija e dëshmorit Nuri Mazari, Shqiponja Mazari theksuan që shqiptarët nuk kërkojnë mëshirë apo hakmarrje, por vetëm drejtësi joselektive.
“Askush, nuk mund ta njollos UÇK-në e lavdishme, ajo me gjakun e saj nënshkroi lavdinë më të madhe në historinë tonë…Në këtë betejë, Ushtria Çlirimtare, Ushtritë Çlirimtare kanë pasur dakordësi të plotë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Hazgan Haklaj, Veprimtar.
“UÇK nuk ishte ushtri pushtimi, por ishte Ushtri çlirimi. UÇK-ja nuk ishte ushtri krimi, por ushtri e lirisë dhe dinjitetit…Ne nuk kërkojmë privilegj, nuk kërkojmë amnisti, nuk kërkojmë lehtësi për padrejtësi. Ne kërkojmë drejtësi të pakompromis, të paanshme, të bazuar mbi prova”, tha Shqiponja Mazari, E bija e dëshmorit Nuri Mazari.
Pjesë e protestës ishin edhe ish komandantët e UÇK-së, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, por edhe figura të njohura të jetës publike e politike nga vendi dhe rajoni. /Alsat.mk








