Protestojnë punonjësit e DAP-it, kërkojnë rritje të pagave për 30%

Protestojnë punonjësit e DAP-it, kërkojnë rritje të pagave për 30%

Gazetare: Andrea Çobanova

Punonjësit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike do të fillojnë grevë të përgjithshme në vendet e tyre të punës nëse nuk marrin rritjen e pagave prej 30 për qind për të cilën kanë rënë dakord. Në protestë paralajmëruese para Ministrisë së Financave, punonjësit e DAP-it i dërguan porosi ministrit Fatmir Besimi që ta nënshkruajë kontratën kolektive që t’u rriten pagat. Sipas tyre, marrëveshja e re kolektive është arritur së bashku me Besimin, por është e paqartë pse ai ende nuk e ka nënshkruar atë.

“Për sa i përket financave, me shumë përgjegjësi mund t’ju informoj se arritëm në një përmbajtje që me reterimet tona ishte e pranueshme për të gjitha palët. U konsiderua punë e kryer, por deri më sot ne formalisht, sipas rregullave, nuk kemi marrë pëlqimin për të zbatuar kontratën kolektive. Nëse vjen deri te protesta më të mëdha, mendoj se të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se do të kërcënohen funksionet më vitale në shoqëri”, deklaroi Vase Nedanoski – kryetar i organizatës sindikale.

Ministria e Financave informon se do të pritet metodologjia e pagave që do të jetë e vlefshme për të gjithë punonjësit në administratë dhe çdo nënshkrim individual i marrëveshjeve kolektive do të cenojë procesin e zgjidhjes së miratuar të sistemit.

“Lidhur me kërkesën e një pjese të punonjësve tatimorë për rritje të pagave, theksojmë se Qeveria angazhohet për sistem të rritjes së pagave në të gjithë sektorin publik. Nëpërmjet Këshillit Ekonomik dhe Social, së bashku me partnerët socialë, tashmë po punohet për vendosjen e një sistemi pagash për të gjithë punonjësit në sektorin publik. Një ligj i ri për pagat e punonjësve të sektorit publik dhe një Kontratë e re e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik janë në përgatitje e sipër, që do të mundësojë rritjen e vazhdueshme të pagave në të ardhmen”, thonë nga Ministria e Financave.

Pakënaqësia e punonjësve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike vjen pasi Besimi vendosi që t’i rrisë pagat për 30 për qind, por vetëm punonjësve të ministrisë së tij, e jo institucioneve tjera që i përkasin të njëjtit dikaster. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button