Në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik u nënshkruan sot, më 3 tetor, protokollet për dorëzimin e ndërsjellë të relikeve historike mes Greqisë dhe Bullgarisë, në prani të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit bullgar Rumen Radev.
Në kuadër të marrëveshjes, Bullgaria do t’i kthejë Greqisë 48 relike fetare, të cilat ishin marrë në vitin 1917 gjatë Luftës së Parë Botërore nga manastire dhe institucione fetare greke. Reliket lidhen me Manastirin Panagia Eikosifoinissa, Manastirin Timios Prodromos në Serres dhe Mitropolinë e Serres dhe Nigritës.
Në këmbim, Greqia do t’i dorëzojë Bullgarisë eshtrat e identifikuara si të car Samuilit, i cili sundoi nga viti 997 deri në vitin 1014. Eshtrat u zbuluan në vitin 1965 në Bazilikën e Shën Akilit në Prespë dhe vitet e fundit janë ruajtur në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik. Marrëveshja përfshin edhe materialin antropologjik të gjetur në katër sarkofagët e bazilikës.
Pas ceremonisë në Selanik, eshtrat e Samuilit do të dërgohen në Sofje, ku do të priten me ceremoni shtetërore.
Marrëveshja është rezultat i negociatave disa vjeçare mes dy vendeve dhe synon kthimin e objekteve të trashëgimisë historike në vendet e tyre të origjinës.








