Iniciativa e Trajanovit për konfliktin e 2001-shit / Ziberi: Shkelje e rëndë ndaj Tribunalit

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ish Avokati i Popullit dhe juristi Naser Ziberi, duke komentuar nismën e kreut të LD-së Pavle Trajanov në Kushtetuese për anulimin e interpretimit autentik të nenit 1 nga Ligji për Amnisti, u shpreh se Kushtetuesja duhet të veprojë ashtu siç ka vepruar tri herët e kaluara lidhur me këtë çështje sikurse në vitin 2003, 2007 dhe 2012, e ajo është të hedhë poshtë mundësinë për rishqyrtim të ligjit. Në Kushtetuese, përmes anulimit të interpretimit autentik, Trajanov kërkon që për krime lufte në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, të përgjigjen të dyshuarit në pesë rastet e shqyrtuara nga Tribunali i Hagës, edhe pse për ta asnjëherë nuk pati dëshmi.

“Hapja apo rihapja dhe eventualisht nëse pranohet iniciativa do të ishte një shkelje e rëndë edhe ndaj Tribunalit të Hagës edhe ndaj ligjit për amnisti e për pasojat politike të mos flasim se çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë shkelje e rëndë mbi parimet e vendosjes së paqes të vërtetuara në Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, shkelje mbi këto parime”, deklaroi Naser Ziberi në emisionin “Gjurmët”.

Sipas Ziberit, në vitin 2002 edhe pse marrëveshja u arrit me ndërmjetësim të ambasadorit të atëhershëm të NATO-s, Nikolas Hendrik i njohur si Bigman, krerët politik maqedonas përsëri kishin tentuar ta shtrembërojnë ligjin duke e prekur drejt për drejtë nenin 1 të ligjit. Ziberi i bën thirrje VLEN-it dhe Qeverisë që të mos jep mendim në favor të Trajanovit.

“Këtë ata duhet ta bëjnë madje në Qeveri sepse Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Qeverisë për të marrë mëndim lidhur me iniciativën e Pavle Trajanovit. Unë sa kam informacione, Qeveria ende nuk ka ndërtuar qëndrim për këtë çështje dhe beteja e parë duhet të bëhet që këtu, që mendimi i Qeverisë duhet të shkojë në funksion të asaj që është praktikë e Gjykatës Kushtetuese, se Kushtetuesja për këtë çështje është prononcuar dhe nuk ka lëndë për shqyrtim”, deklaroi Ziberi.

Të pyetur për iniciativën e Trajanovit në Kushtetuese, partitë politike VLEN dhe BDI së fundmi në emisionin N’Dritë thaë se nuk pajtohen me këto nisma. Si Bekim Qoku ashtu edhe Arbër Ademi, u shprehën se këto tentativa nuk duhet të procedohen pasi paraqesin rihapje të plagëve të vjetra dhe përplasje mes komuniteteve./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button