“Lotaria” / Dëshmitari i Prokurorisë dha deklarata në favor të Përparim Bajramit e Artan Grubit

Gazetar: Suad Bajrami

Prokuroria e shpalli dëshmitar armiqësor Vllado Petkovskin, drejtor sektori për lojërat e fatit në Lotarinë Shtetërore, i cili ishte ftuar me propozim të vetë Prokurorisë. Këtë veprim, përfaqësuesit e akuzës e ndërmorën pasi Petkovski i zhgënjeu me përgjigjet. Në vend që ta mbështeste teorinë e tyre, ai filloi të jepte përgjigje në favor të të akuzuarve, Përparim Bajrami e Artan Grubi.

I pyetur të japë mendim për punën e drejtorit Përparim Bajrami si dhe paraardhëses së tij, Katica Nikollovska, Petkovski tha që Bajrami ka pasur qasje proaktive dhe ka sjellë projekte të reja, ndërsa për Katica Nikollovskën tha se nuk ka bërë asgjë.

Ai tha se personalisht ka marrë pjesë në procedurën e furnizimit të aparateve VLT dhe se procedura për furnizim nuk ishte kontestuese. Kjo bie në kundërshtim me tezën e organit të akuzës në të cilën thuhet se furnizimi i aparateve ka qenë i panevojshëm dhe me këtë i është bërë dëm buxhetit për 9,7 milionë euro. Petkovski nuk ishte në linjë me Prokurorinë edhe për çështjen e mundësisë që Lotaria Shtetërore vetë të organizojë lojëra të fatit. Sipas tij, për këtë ide është diskutuar në kolegjiumet e Lotarisë ku ka udhëhequr Bajrami, ndërsa përpara se të furnizoheshin janë mbledhur dokumente, studime fizibiliteti, hulumtim të tregut, por edhe mendim nga Ministria e Financave dhe vetë Qeveria.

“Ideja ishte që të furnizohen VLT terminale që Lotaria vetë t’i organizojë lojërat elektronike të fatit dhe tërë profiti të mbetet te Lotaria Shtetërore dhe jo të ndahet me të tjerët”, tha Petkovski para Gjykatës.

Për shkak këtyre përgjigjeve, Prokuroria hoqi dorë nga ky dëshmitar, ndërsa kërkoi që t’i qaset me pyetje të kryqëzuara. Për të njëjtat rrethana, dëshmitari dha sërish përgjigje dhe qëndrime të ngjashme.

Avokati i Artan Grubit, Goce Ristevski tha se kjo dëshminë pafajësinë e klientit të tij.

“Deklarata e dëshmitarit në tërësi e konfirmon tezën e mbrojtjes se konkretisht i akuzuari Artan Grubi nuk ka ndërmarrë veprime të paligjshme në rastin konkret. Dëshmitari e ka konfirmuar atë çfarë ka ndodhur në Lotarinë Shtetërore se gjithçka ka qenë sipas ligjit. Kështu që pse Prokuroria  Publike e shpalli për dëshmitar armiqësor, megjithatë ata duhet t’i pyesni, për mua s’kishte arsye për diçka të tillë”, tha Goce Ristevski, Avokat i Artan Grubit.

Seancat e radhës do të vazhdojnë me marrjen në pyetje të 6 dëshmitarëve të tjerë që Prokuroria i ka propozuar.

Sipas organit të akuzës, 8 të akuzuarit ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit, për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi sipas tyre Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Nga ana tjetër mbrojtja pretendon se ka dokumentacion të plotë se Lotaria Shtetërore ka mbrojtur interesin shtetëror dhe për këtë ka leje nga Ministria e Financave, kurse në Qeveri është votuar pa asnjë votë kundër.

Për veprën penale që ngarkohen të akuzuarit, parashikohet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet burg. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button