Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur publikisht mbështetjen për Aleksandar Vuçiqin, duke thënë se shpreson që ish-presidenti serb të bëhet kryeministër i Serbisë.
Deklarata vjen para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit dhe në një kohë kur Beogradi vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Duke folur në Klubin Ndërkombëtar të Diskutimit “Valdai”, Putin vlerësoi politikën e Vuçiqit ndaj Moskës dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Udhëheqja aktuale e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deri vonë ishte president dhe, shpresoj, në të ardhmen do të jetë kryeministër, po ndjek një politikë të përmbajtur dhe po tregon dëshirë për bashkëpunim me Rusinë”, tha Putin.
Ai përshëndeti gjithashtu refuzimin e Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke theksuar se Moska do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Vuçiq dhe Putin kanë ruajtur kontakte të rregullta politike edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë. Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës shtrihen edhe në sektorin energjetik, ndërsa Serbia vazhdon të mbështetet në gazin rus.
Qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë mbetet një nga çështjet kryesore të mospajtimit me Bashkimin Evropian, i cili i kërkon Beogradit të harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së.
Putin foli edhe për serbët në rajon, duke pretenduar se ata janë “ndarë me forcë” në disa shtete dhe entitete. Ai përmendi gjithashtu liderin serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, dhe Marrëveshjen e Dejtonit, duke akuzuar se serbëve u imponohen zgjidhje nga jashtë. /ALsat.mk








