Gazetare: Ilirida Sulejmani
Me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, mijëra qytetarë vazhdojnë protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Por jo në emrin tonë. Vendim i papranueshëm. Do të mbështesim vendime që dëshmojnë se ai vendim dënues nuk është në emrin e popullit të Kosovës.” – Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK-së.
“00:12-00:30 Aktgjykimi është i padrejtë, është i pabazuar në fakte, është aktgjykim që e cenon historinë e Kosovës, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.” – Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.
Nga organizata “Liria Ka Emër”, theksojnë se protestat janë mbi çdo përkatësi politike dhe se pjesëmarrësit janë të bashkuar në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
“Po dalin dhe po na thonë, nuk po dënohet UÇK-ja, ata po dënohen për krime individuale. Kjo është pabesia më e madhe. Le ta dëgjojnë mirë sot të gjithë. Ne nuk jemi këtu në këtë shesh për t’i mbuluar krimet individuale të askujt. Kush ka bërë krime le të përgjigjet, por nuk lejojmë askënd që t’i fsheh krimet e vërteta të të tjerëve duke hedhur barrën mbi supe udhëheqësve të UÇK-së.” – Çlirim Haziri, Liria Ka Emër.
“Nuk jemi bërë bashkë për shkak partive politike, nuk jemi bërë bashkë për shkak takimeve të caktuara. Sot jemi bërë bashkë për ju, sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike.” – Ismail Tasholli, Liria Ka Emër.
Protestat e organizuara nga platforma “Liria ka Emër” vazhdojnë çdo ditë që kur Gjykata Speciale në Hagë ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim./Alsat.mk








