Gazetare: Ilirida Sulejmani
Vetëm pak ditë e ndajnë Kosovën nga skadimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka nisur komunikimet me partitë parlamentare, me synimin që vendi ta ketë presidentin e ri gjatë javës së ardhshme.
Sipas Kurtit, në ditët në vijim do të zhvillohen takime me përfaqësuesit e subjekteve politike për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe për të siguruar votat e mjaftueshme në Kuvend. Ai gjithashtu ka theksuar se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha forcave politike dhe ka shprehur pritjen që dialogu të sjell rezultat.
Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje në mënyrë që javën e ardhshme të kemi president ose presidente të re.” Deklaroi Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës.
Edhe Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga partitë politike që të mos e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke e vlerësuar se në rrethanat aktuale, sigurisht që prioritet duhet të jetë zgjedhja e presidentit.
“Unë uroj që të gjitha partitë politike të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për ta çuar vendin në zgjedhje. As për qytetarët e Republikës së Kosovës, as për vetë Republikën e Kosovës, por as në rrethanat në të cilat jemi, sidomos pas 16 shtatorit, nuk do duhet as t’i shkonte në mendje dikujt që të bënin veprime të cilat shtyjnë drejt zgjedhjeve.” – Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për situatën politike në Kosovë. Nëse partitë arrijnë një marrëveshje, vendi do të ketë president të ri, në të kundërtën, me skadimin e afatit kushtetues më 6 tetor, Republika e Kosovës do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare./Alsat.mk








