Gazetar: Zekirija Haxhiu
Të pakënaqurit brenda LSDM-së sot për herë të parë zyrtarisht me dokument të nënshkruar, i janë drejtuar kreut të partisë Venko Filipçe që menjëherë të jep dorëheqje dhe të mundësohen reforma brenda partisë. Në krye të kësaj kërkese qëndrojnë Igor Ivanovski, Andrej Petrov, deputetja Sllavjanka Petrovska, Kostadin Acevski e disa të tjerë. Në dokument shprehen se kanë bërë analiza të thella për arsyet e gjendjes së partisë e siç thonë, ato janë deficiti kadrovik, humbja e identitetit ideologjik, pasiviteti i organizatave komunale, jo sinqeriteti në komunik dhe strategjia e gabuar mediatike. Qëllimi i grupit të pakënaqur është përfshirja më e madhe e të rinjve, aktivizimin e anëtarëve pasiv dhe ndërtimin e një identiteti të ri vizual.
- Dorëheqje e menjëhershme dhe e parevokueshme nga funksioni kryetar i LSDM-së
- Zgjedhja urgjente e një grupi të punës me integritet, kredibilitet, të paanshëm dhe të pavarur nga udhëheqësia e partisë, me mandat në kohë të caktuar e cila do të përgatisë plan për sanimin dhe reformat themelore të brendshme në afat sa më të shkurtër.
- Revizion i zgjedhjes dhe statusit të mandatit të delegatëve aktual të Kongresit
- Mbajtja e një Kongresi të Jashtëzakonshëm për miratimin e ndryshimeve statutare
- Organizimi i zgjedhjeve fer, të lira e demokratike brenda partiake
Por nga LSDM nuk binden me shkresën e dorëzuar. Vazhdojnë ti quajnë si Platformë ZNAM 2.0. Thonë se qëllimi i tyre është ta shkatërrojnë partinë pasi është rritur rejtingu i Filipçes dhe ka rënë ai i Mickoskit.
“Venko, lëshoje partinë. Nuk kemi plan. Nuk e dimë si. Duhet ta shpartallojmë, sepse e ngrite nga të vdekurit. E rejtingu edhe ty edhe partisë seriozisht u është rritur. I lexuam rezultatet e Mickoskit. Duhet të tentojmë të jemi sikur ZNAM-i. Të përçajmë votat opozitare ashtu siç e bëri Makso. Na fal Venko, ne jemi madje 17 vetë. Për ju votuan më tepër se 18 mijë anëtarë por bëhu mik dhe trego vullnet. Partia nuk është në shitje. LSDM nuk dorëzohet para avansit. Ne jemi për Evropë, për të vërtetën dhe drejtësinë.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
LSDM në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale pësoi humbje të thellë nga kundërshtari VMRO-DPMNE duke humbur pushtetin dhe garën për president. Ish presidenti Stevo Pendarovski humbi përballë Gordana Siljanovskës ndërsa në zgjedhjet parlamentare, ranë madje në 18 deputetë. Që të mos mjaftojë kjo, LSDM në zgjedhjet e fundit lokale mbeti me vetëm 6 komuna të fituara. Grupi për reforma nga muaji gusht kanë formuar dhe siç e quajnë, platformën demokratike për ngritjen e nivelit të debatit shoqëror, “Bisedime për të ardhmen në 12:05”./Alsat.mk.








