fbpx

Protestuesit në Bullgari përleshen me policinë


Policia dhe protestuesit bullgarë u përleshën të mërkurën derisa parlamenti u takua për të filluar diskutimin mbi një kushtetutë të re.

Demonstruesit kanë bllokuar rrugët dhe kanë organizuar tubime të përditshme në kryeqytetin Sofje dhe qytete të tjera për gati dy muaj.

Ata po bëjnë presion për dorëheqjen e kryeministrit, Bojko Borisov, dhe kryeprokurorit, Ivan Geshev, në lidhje me pretendimet se ata janë të lidhur me oligarkët.

Borisov tashmë ka shkarkuar disa ministra kryesorë dhe së fundmi ka propozuar miratimin e një kushtetute të re, por protestuesit i kanë hedhur poshtë këto masa.

Mijëra demonstrues dolën në rrugët e Sofjes, duke brohoritur “dorëheqje” dhe “mafia” si dhe duke hedhur gurë, vezë dhe domate.

Policia përdori gazlotsjellës dhe njoftoi se ka arrestuar tetë protestues, ndërsa 20 oficerë u plagosën në përleshjet jashtë parlamentit.

Gjashtëmbëdhjetë persona, përfshirë protestuesit, u pranuan në spital, sipas shërbimeve të urgjencës.

Në një deklaratë brenda parlamentit, presidenti bullgar, Rumen Radev, i cili ka shprehur mbështetje për kërkesat e protestuesve, u bëri thirrje ligjvënësve të “dalin nga kriza me dinjitet” duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme.

“Përfundimisht ka humbur besimi”, tha ai.

Borisov, është në pushtet pothuajse pa ndërprerje për më shumë se një dekadë. Ai ka refuzuar të japë dorëheqje, para se të përfundojë mandati i tij i tretë, në mars të vitit të ardhshëm.

Debati në parlament për një kushtetutë të re mund të zgjasë me muaj, shkruan agjencia AFP.

Trembëdhjetë vjet pas anëtarësimit në BE, Bullgaria mbetet anëtari i saj më i varfër, sipas organizatës Transparency International.

LEXO EDHE:

Back to top button