Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, do t’i anashkalojë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën gjatë turneut të saj në Ballkan, njoftoi të premten Komisioni Evropian .
“Gjatë turneut, von der Leyen do t’i vizitojë Tiranën, Prishtinën, Podgoricën dhe Shkupin. Atje do të takohet me presidentët dhe kryeministrat, si dhe do të vizitojë projekte të financuara nga Bashkimi Evropian”, tha zëdhënësja e KE-së, Ariana Podesta.
Vizita në katër vendet e rajonit është paraparë të zhvillohet nga 30 shtatori deri më 2 tetor. Më herët ishte thënë se von der Leyen nuk do ta vizitonte Serbinë gjatë turneut ballkanik për shkak të tensioneve politike dhe shoqërore në vend, ndërsa varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid, kishte nxitur reagime të ashpra në Bashkimin Evropian.
Edhe disa deputetë të Parlamentit Evropian i kishin bërë thirrje von der Leyenit që të mos udhëtonte në Beograd. Ky do të jetë turneu i gjashtë i von der Leyenit në rajon, një vizitë që tashmë është bërë traditë para publikimit të paketës vjetore të raporteve të progresit për vendet kandidate për anëtarësim në BE.








