VIDEO / PSZH thyen pastër Dortmundin, përmbysje kampionësh e Mançester Sitit

Liga e Kampionëve solli në fushë për ndeshjet e para të grupeve. Në grupin H, Barcelona triumfoi me goleadë ndaj Antverpit me shifrat 5-0 në shtëpi. Arbnor Muja me shokë ishin të pafuqishëm ndaj katalanasve, me kampionët belg që pësuan 3 gola në pjesën e parë. Feliks dhe Levandovski realizuan në minutat e para, sakaq Bataille pak më vonë ishte i pafat pasi shkaktoi autogol. Në pjesën e dytë, djemtë e Çavit vazhduan të argëtoheshin, radha ishte e Gavit për të përshendetur portën e mbrojtur nga Butez. Zhoao Feliks shënoi më pas golin e dytë personal në këtë takim, pas një asisti të Rafinja-s. Në takimin tjetër të këtij grupi, Shakhtar-Porto u mbyll 1-3 për portugezët.

Në grupin G, në “Etihad Stadium”, Mançester Siti përmbysi Crvena Zvezdan me 3-1. Pjesa e parë u dominua totalisht nga kampionët e Europës, por “qytetarët” nuk kishin shënjestrën e duhur për të ndëshkuar serbët. Kur nuk shënon, e pëson dhe kështu ndodhi. Zvezda i befasoi anglezët me golin e Bukari në fundin e fraksionit të parë, e për t’u konfirmuar si gol i rregullt u nevojit ndërhyerja e sistemit VAR. Në pjesën e dytë, skuadra e Guardiolës i ndryshoi fatin takimit me dopietën e Alvarezit dhe golin e Rodrit.

Në grupin F, skuadra e PSZH-së mundi me shifrat 2-0 Dortmundin në Paris. Mbape zhbllokoi takimin me penallti (49’), ndërsa Hakimi dyfishoi shifrat (58’). Gjermanët nuk dolën dot në lojën e tyre, duke e patur të vështirë jo vetëm të konkretizojnë, por edhe të vendosin në vështirësi kundërshtarin.

Në takimet e tjera, në grupin E, Lazio barazoi 1-1 në shtëpi me Atletiko Madridin, ndërsa Fejnord kaloi 2-0 Seltikun.

LEXO EDHE:

Back to top button