Publikohet metodologjia e regjistrimit

Regjistrimi i popullsisë do të bëhet në tre kategori, rezidentët, jorezidentët dhe kategoria e tretë, përmbledhje e të gjithë të regjistruarve në dy kategoritë e para. Enti Shtetëror i Statistikës publikoi metodologjinë e regjistrimit të popullsisë, vendbanimeve dhe banesave. Në kategorinë e qytetarëve rezidentë do të përfshihen të gjithë shtetasit që jetojnë në vend më shumë se 12 muaj, shtetasit e huaj që jetojnë në vend më shumë se 12 muaj me leje qëndrimi, personat që janë me vendbanim të përhershëm në vend por ndodhen përkohësisht ose më pak se 12 muaj jashtë vendit, ose personat me mision shtetëror jashtë vendit, refugjatët dhe personat në azil që janë në vend më gjatë se 12 muaj.

Na kategorinë e personave jorezident do të përfshihen shtetasit që jetojnë jashtë vendit më shumë se 12 muaj dhe të huaj që jetojnë në vend më pak se 12 muaj me leje qëndrimi.

Statistika kujton se shtetasit që jetojnë jashtë vendit më shumë se 12 muaj kanë dy opsione regjistrimi. Megjithatë ky institucion thotë se parapëlqehet regjistrimi i tyre në mënyrë elektronike në faqen e Entit të Statistikës. Regjistrimi elektronik i tyre do të fillojë më 1 mars dhe do të zgjasë deri më 21 prill. Drejtori Apostoll Simovski tha aplikacioni elektronik është i gatshëm dhe është mjaftueshëm i sigurt në aspektin e sulmeve kibernetike. Por sipas tij, si opsion i dytë, të dhënat e tyre mund t’i japë edhe ndonjë i afërm që jeton në vend dhe që i njeh mire të dhënat e personave që regjistron.

Statistika do të formojë 50 komisione rajonale për zbatimin e regjistrimit. 150 inspektorë të statistikës dhe nëpunës aktual të këtij institucioni do të monitorojnë procesin, 500 instruktorë rajonal do të angazhohen për menaxhim të regjistruesve dhe të paktën 5500 regjistrues do të mbledhin të dhëna nga qytetarët në terren. Nëse ka nevojë, numri i regjistruesve do të rritet. Ata vlerësojnë se kanë kohë të mjaftueshme për angazhimin e këtyre personave dhe trajnimin e tyre deri në fund të marsit.

Në terren regjistrimi do të bëhet nga 1 deri 21 prill dhe kryesisht do të shkojë nga një regjistrues në një shtëpi. Por, në vendbanimet e përziera, për të respektuar të drejtën e qytetarëve për t’u regjistruar në njërën nga shtatë gjuhët që ata do të zgjedhin, mund të ketë edhe nga dy regjistrues.

Softueri i përdorur për regjistrim do të ketë për bazë të dhënat e 10 institucioneve të tjera në vend. Çdo e dhënë nga qytetarët gjatë regjistrimit do të kryqëzohet me të dhënat e këtyre institucioneve për verifikim.

Aplikacioni, softueri që përdoret ka të instaluar kontrolle logjike që nuk pranon të dhëna jocilësore. D.m.th., të dhëna të gabuara, të dhëna të palogjikshme eliminohen dhe korrigjohen në vendngjarje deri sa zgjat regjistrimi – u shpreh Apostoll Simovski, kryetar i Entit Shtetëror të Statistikës.

Futja e qëllimshme e të dhënave jo të sakta, ndëshkohet me ligj.

Varësisht situatës me kovid në prill, do të përpilohen protokolle shëndetësore për regjistrimin. Por, sipas Simovskit, regjistruesit nuk është patjetër të hynë brenda shtëpive dhe banesave të personave.

Drejtori i Statistikës tha se qytetarët duhet ta njohin rëndësinë e kësaj statistike.

Çfarëdo bojkoti ose refuzimi të jepen të dhëna është vetëm në dëm të qytetarëve. Secili që do të refuzojë të marrë pjesë në regjistrim i bën dëm vetes dhe të gjitha qytetarëve të vendit. Ky është aksion më rëndësi dhe vlerë shoqërore. Nuk është aksion në favor të asnjë strukture politike por të të gjithë qytetarëve të shtetit – tha Apostoll Simovski, kryetar i Entit Shtetëror të Statistikës.

Statistika nuk komenton deklaratat politike për shtyrje eventuale të regjistrimit por thotë se punojnë sipas ligjit në fuqi.

Fatlume Dervishi

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button