Punëtorët e Elem Tursit, kundërshtojnë aplikimin për punë në ndërrmarjen e re

Punëtorët e Elem Tursit, kundërshtojnë aplikimin për punë në ndërrmarjen e re

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Mbyllja e Elem Tursit dhe përgatitjet për formimin e ndërmarrjes së re dhe koncesionerin e ardhshëm të pikës turistike Kodra e Diellit, ka shkaktuar revoltë te punëtorët, shkruan Alsat.

Rreth 30 punëtorë ankohen se me mbylljen e Elem Tursit  do detyrohen të japin dorëheqje nga vendi i punës ku janë me vendime për më shumë se tre dekada dhe të aplikojnë sërish për në ndërmarrjen e re me kontrata tre mujore.

“Udhëheqësi i firmës ka kërkuar nga ne që të deponojnë dorëheqjen nga vendimet e përhershme dhe të na jepet kontratë për tre muaj. Ne nuk pajtohemi me këtë vendim sepse mendojmë se është e padrejtë dhe mbesim në rrugë një numër i madh i punëtorëve, përmbi 25, ndërsa kam koleg që kanë stazh më shumë se dyzet vjet. Ne do vazhdojmë me protesta deri sa të arrimë qëndrimin tonë”, shprehet puntori.

“Na thanë që të konkurrojmë në firmë të re ku nuk do kemi vendime pune por kontrata tre mujore. Askush nuk pajtohet me këtë. Nëse bëhet me marrje punëtorësh në rregull, por për rentabilitetin nuk jemi  fajtor ne. Askush nuk na tregon çka bëhet. Duhet të na sqarojnë a jemi përjashtuar apo jo, a është mbyllur apo jo, dikush të na përgjigjet”, tha një punëtor tjetër.

Kontaktuam drejtuesit e Elem Tursit, nga ku thonë se punëtorët do të pajisen me vendime të përhershme pune, por pas përfundimit të kontratave në dhjetor të këtij viti.

“Kjo ndodh shkaku i hapjes së ndërmarrjeve të reja, me qëllim që ndërmarrjet e reja të jenë pa borxhe, ashtu siç e kërkon investitori i huaj. Të punësuarit është dashur të konkurrojnë dhe të pranohen madje me rroga edhe më të larta, por një pjesë e tyre nuk e kanë bërë. Nuk është e vërtetë se këta punëtorë do të mbesin me kontrata. Ata do të kalojnë me vendime në kohë të pacaktuar, pas skadimit të kontratave njëjtë siç u realizua procedura edhe me ndërmarrjen e re të krijuar për Molika Manastir”, thonë drejtuesit e Elem Tursit.

Ndërkohë nga burime të Qeverisë, kompania Italiane e interesuar për blerjen e Kodrës së Diellit, ka harmonizuar kontratën me komisionin për investime strategjike të Qeverisë dhe së shpejti pritet takimi për finalizimin e marrëveshjes. Por një nga kërkesat e kësaj kompanie ka qenë edhe marrja e Kodrës së Diellit, me një Ndërmarrje të re e cila do të jetë pa borxhe. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button