Punonjësit e Bibliotekës së Tetovës janë të vendosur të mos lejojnë dislokimin

Punonjësit e Bibliotekës së Tetovës janë të vendosur të mos lejojnë dislokimin

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Ministria e Kulturës është e vendosur në dislokimin e Bibliotekës së Tetovës, shkruan Alsat.

Së fundi, ky dikaster ka kërkuar që Biblioteka e Tetovës, të formojë komision dhe të fillojë dislokimin, por, të punësuarit e bibliotekës dhe drejtoresha e këtij institucioni, mbeten në qëndrimin për të mos e zbatuar vendimin.

Ndërkohë Bibliotekës se Tetovës i mbeten edhe tre ditë afat për t`i lëshuar hapësirat.

“Kërkojmë dhe i sugjerojmë Ministrisë që të formojë ekip, të vijnë në Tetovë që të njiheni me hapësirat, sepse ne po ti lëvizim këto rafte e libra do hapet shumë punë dhe nuk do vijnë më në vend të vet. Të ishte hapësirë më e madhe shumë lehtë do kalonim andej. Ne jemi në udhëkryq, si të dalim nga këtu kur jam i bindur se ajo pjesë nuk na merr, po dolëm ne do ngelemi në rrugë, sa të ngelim në rrugë më mirë do vazhdojmë të rijmë siç jemi”, tha Mahi Murtezani Punonjës i bibliotekës.

Ndërkohë ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska tha se komisioni i formuar ka konstatuar që hapësirat e reja ku do të dislokohet Biblioteka do të rinovohen. Sipas saj dislokimi nuk ndodh në hapësira larg atyre aktuale, por në godinën e njëjtë ku aktualisht është Biblioteka.

“Biblioteka ‘Koço Racin’ në Tetovë vetëm i ndryshon hapësirat në kuadër të institucionit të njëjtë, përkatësisht mbetet në Qendrën e Kulturës në Tetovë, që nënkupton se vetëm nga një hapësirë 460 metra katrorë nëse nuk gënjehem, zhvendoset në hapësira të reja 460 metra katrorë, që nënkupton se funksionimi i bibliotekës nuk vendoset në asnjë rrezik. Te unë nuk ka arritur asnjë reagim as nga të punësuarit as nga drejtoresha, përkundrazi kjo ishte bërë me pajtimin e tyre. Do të doja të shtoj se kur të transferohen në hapësirat e reja në të njejtin institucion, aty do të bëhen rinovimet dhe adaptimet e nevojshme nëse ka nevojë”, u shpreh Bisera Kostadinovska Stojçevska, ministre e Kulturës.

Ndryshe, tash e dy dekada, Biblioteka e Tetovës, funksionon me mungesë të kushteve elementare për punë si për ekspozim të librave në rafte, po ashtu edhe për ruajtjen e arkivit dhe librave shtesë, të cilat, siç mund të shihen nga pamjet, deponohen nëpër hapësira jo adekuate dhe po shkatërrohen dita ditës mbi 50.000 tituj librash.

Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, në gjendje tejet të keqe ruhen edhe shtypi ditor që daton që nga viti 1940 e këndej.

Nga drejtoria e bibliotekës së Tetovës, disa herë në Ministri është bërë kërkesë për kushte më të mira, por Ministria asnjëherë nuk pati vesh për zgjidhjen e këtij problemi, dhe në vend që të gjejë hapësirë më shumë për bibliotekën e Tetovës, ata dislokojnë këtë institucion në kushte edhe më të këqija./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button