Punonjësit shëndetësorë me porosi: Paga evropiane për ta, paga evropiane edhe për ne

Punonjësit shëndetësorë me porosi: Paga evropiane për ta, paga evropiane edhe për ne

Gazetare: Ajnur Bafqari

“Paga evropiane për ta, paga evropiane edhe për ne”. Këtë porosi e dërguan punonjësit shëndetësorë, të cilët protestuan në më shumë qytete të vendit. Protesta kryesore u mbajt para Ministrisë së Shëndetësisë, ku sindikalistët kërkuan paga më të larta dhe nënshkrim të aneksit të marrëveshjes kolektive.

“Në këtë moment ne nga njëra anë e dërgojmë porosinë për pakënaqësinë tonë për atë që nuk ndodhi, që nuk kemi aneks të nënshkruar. Ndërsa e dyta është që kjo duhet patjetër të ndodh. Nëse nuk ndodh, sot ishim në këtë numër, herën tjetër do të jemi në numër akoma më të madh. Ne nuk heqim dorë, në pjesën e asaj që duhet të realizohet, nënshkrimi i aneksit të marrëveshjes kolektive”, tha Lubisha Karanfillovski, kryetar i Sindikatës së shëndetësisë, farmacisë, dhe mbrojtjes sociale.

“Për të pasur një shëndetësi të mirëfilltë, një personel të mirëfilltë, ai personel duhet të jetë I siguruar me rroga të majme, pasi shumicën e rasteve për shkak të pakënaqësisë nga rrogat tona, vijmë deri te ajo që personeli mjekësor të ik nga ky vend”, u shpreh Xhevat Salia, Sindikata e pavarur e spitalit “Ferid Murati” Gostivar.

“Kemi ikje të punonjësve shëndetësor nga sektori publik, ndoshta ky migrim që lidhet me tre motive kryesore, njëri është ekonomik, i dyti politik, i treti profesional. Për qeverinë e re, motivimi i punëtorëve shëndetësor duhet të jetë prioritet kryesorë”, deklaroi Predrag Sarafimovski, Sindikata e qendrës klinike.

Përfaqësuesit e Sindikatave të Shëndetësisë, përveç Shkupit protestuan edhe para shtëpive të shëndetit në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Manastir, Strumicë, Veles, Sveti Nikollë e qytete të tjera. Ditë më parë, Shoqata e Mjekëve alarmoi për largimin e mjekëve nga Maqedonia, duke theksuar se në nivel vjetorë, rreth 250 mjekë e lëshojnë vendin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button