Pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella se kush po shpenzon më shumë në kohë krize
Gazetar: Luka Andreev
Pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella për atë se zyrtarët e kujt shpenzojnë në kohë krize. Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nëse nuk vidhet, ka para. Ai thotë se qytetarët dhe ekonomia do të ndihmohen realisht nëse qeveria harmonizon pagat me koeficientin që lidhet me vendet e punës dhe e ulë akcizën për derivatet, shkruan Alsat.
“Nëse nuk vidhet, do të ketë para. Ja edhe kjo huamarrja e re që paralajmërojnë prej 600 milionë euro, sërish do të jetë për të mbuluar kosto joproduktive. Ne i kemi shpallur edhe si parti në konferenca për shtyp të cilat ministri kanë shpenzime joproduktive. Nëse ndalen ato shpenzime joproduktive, pra ajo vjedhje dhe ai krim, apo nuk ndodh, atëherë do të ketë para, do të ketë para për pensione më të larta, si ky që po propozojmë për 20%, sepse ashtu është llogaritja jonë”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së
Nga LSDM-ja thonë se standardin ekonomik të qytetarëve e mbrojnë përmes rritjes së pagës minimale, rritjes së pensioneve, uljes së TVSH-së për produktet bazë ushqimore, e në të njëjtën kohë u ndihmojnë kompanive. Socialdemokratët e drejtuan gishtin te kryetarët e VMRO-DPMNE-së për shpenzimet joproduktive.
“Paketa prej 26 masash kundër krizës me vlerë 400 milionë euro tashmë po jep rezultate, çmimi i karburanteve është në rënie të vazhdueshme dhe me heqjen e TVSH-së për produktet bazë po mbrojmë buxhetet familjare nga goditjet e reja të çmimeve. Por kriza duket se nuk vlen për kryetarët e VMRO-DPMNE-së. Pothuajse nuk ka ditë që të mos shfaqet ndonjë dëshmi e re për shpërdorim nga kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Dje njoftuam se vetëm katër kryetarë komunash nga VMRO-DPMNE do të shpenzojnë një milion euro për punësime partiake”, tha Darko Kaevski – zëdhënës i LSDM-së
Kaevski kërkoi nga kryetarët e opozitës që t’i rialokojnë këto mjete, duke shtuar se VMRO-DPMNE është parti e pareformuar që i trajton në mënyrë të papërgjegjshme paratë e qytetarëve. Në anën tjetër, sipas Mickoskit, për menaxhimin e krizës, qeveria do të dënohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, gjë që opozita po e kërkon aktualisht përmes rrugës institucionale, e jo me protesta, për shkak të, siç thotë rrethanave të reja, duke përfshirë agresionin rus ndaj Ukrainës. /Alsat.mk








