Pushteti përshpejton ligjet e autostradave, opozita me fjalime të njëpasnjëshme prolongon procedurën

Pushteti përshpejton ligjet e autostradave, opozita me fjalime të njëpasnjëshme prolongon procedurën

Gazetare: Fatlume Dervishi

Komisioni për çështje evropiane në Kuvend shqyrton një nga një ligjet që lidhen me ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D kurse pushteti duke mos dashur të humbë kohë, rikthen ato në lexim të dytë për miratim në seancë plenare. Deputetët e opozitës thonë se me këtë përshpejtim konfirmohet se pushteti me forcë shtyn ligjet.

“Pushteti vazhdon agjendën e tij dhe ajo është keqpërdorimi dhe miratimi i ligjit për marrëdhënie pune me çdo kusht, jashtë vërejtjeve të sindikatave, jashtë vërejtjeve të shoqatave të punëdhënësve, jashtë vërejtjeve të organizatave joqeveritare, jashtë vërejtjeve të delegacionit të BE-së, jashtë vërejtjeve të deputetëve dhe sot gjendemi në një situatë të cilën nuk e kemi parë në Kuvend dhe kjo është që përderi sa vazhdon debati në komision për këto zgjidhje ligjore, kurse ne në seancë plenare t’i miratojmë ato ligje”, deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Pas rikthimit në seancë plenare të ligjit për marrëdhënie pune, VMRO-DPMNE-ja thotë se vendoset bazë e rrezikshme ligjore të cilët punëdhënësit do të mund ta shfrytëzojnë për të detyruar të punësuarit e tyre për punë jashtë orarit.

“Miratohen ligje që nënkuptojnë suspendim të tërësishëm të të drejtave të punëtorëve, gjegjësisht suspendim të tërësishëm të të gjitha ligjeve të deritanishme dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Kjo është ajo agjenda evropiane e Qeverisë për të cilën aq shumë angazhohen. Kjo në thelb nënkupton vetëm kënaqje të nevojave të realizuesit, ose vendosjen e situatave shumë të padrejta në të cilat do të gjenden punëtorët”, tha Zdravko Trajanov, VMRO-DPMNE.

Sipas LSDM-së, ndryshimet do të vlejnë vetëm për projektet me rëndësi strategjike.

“Besoj se edhe ju e dini se ndërtimi i pjesëve të Korridoreve 8 dhe 10D është vërtetë me rëndësi strategjike për vendin tonë. Në lidhje me se i detyrojmë, nuk ka detyrim, por nëse i punësuari nënshkruan mundet të punojë edhe jashtë orarit të punës dhe kjo është e rregulluar edhe për punë të tjera në pjesën e marrëdhënieve të punës”, u shpreh Zhaklina Llazarevska, LSDM.

Propozim ndryshimet në ligjin për marrëdhënie pune parashikon që:

Propozim/ligjin për marrëdhënie pune

“… për punë në projekte me rëndësi strategjike kombëtare për Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak të nevojës për kontinuitet në punë, puna jashtë orarit mund të zgjasë më gjatë se tetë orë në javë dhe 190 orë në vit, pas pëlqimit paraprak të dhënë me shkrim nga ana e punëtorit”.

Deri sa në plenare 35 deputetë, kryesisht të opozitës u paraqitën për të marrë fjalën, debati sipas Rregullores mund të zgjasë deri në tre ditë punë. Nga ana tjetër, në Komisionin për çështje evropiane, vazhdon debati për ligjin për planifikim urbanistik. Përshpejtimin e procedurave e ka ndihmuar shqyrtimi i ligjeve me flamur të Bashkimit Evropian.

Për ta justifikuar këtë para delegacionit të BE-së të cilët qortuan pushtetin për keqpërdorim të flamurit të BE-së në këto ligje, burime qeveritare bënë me dije se ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Bocvarski është në Mal të Zi, ku Korridori 8, në të cilin konzorciumi amerikano-turk Bechtel dhe Enka do të ndërtojnë tre autostrada, duhet të dokumentohet në hartën e korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor. Me këtë lëvizje, Korridori 8 duhet të jetë i dukshëm në rrjetet trans-evropiane dhe në këtë mënyrë të zbutet pozicioni i BE-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button