Qentë endacak ‘mollë sherri’ ndërmjet kandidatëve për kryetarë të Gostivarit
Problemi me qentë endacak në Komunën e Gostivarit kësaj radhe zë vend edhe në programet e partive politike.
Kandidatja për kryetare të Gostivarit nga radhët e PDSH-së, Renata Elezi në Program200, premton se në rast se fiton zgjedhjet, një ndër projektet e para që do të realizojë do të jetë çështja e stacionarit ku do të vendosen qentë endacak, me çka sipas saj do të zgjidhet një nga problemet më të mëdha të banorëve të Gostivarit për të cilët tha se janë në hall të madh dhe ndjehen të rrezikuar nga qentë, shkruan Alsat.
Elezi madje kritikoi ashpër kryetarin aktual dhe njëherit kandidat i ASH-së për kryetar të Gostivarit, Arben Taravarin, për moszgjidhje të kësaj çështje që daton ndër vite.
“Qentë endacak janë një problem shumë i madh për qytetarët e Gostivarit, ka shumë raste të cilat paraqiten nëpër spitale, persona të dëmtuar nga qentë endacak. Ndërkohë që ka qenë e paraparë në programin e z. Taravari se do të ketë një stacionarë për qentë endacakë, por fatkeqësisht qentë endacak janë akoma nëpër rrugë dhe nuk janë në atë stacionarë, aty ka vetëm një qen. Po vetëm një qen kishte, nëse nuk keni atje ta shihni, lirisht mund të shkoni, ose tash nëse nuk e keni mbushë”, u shpreh Elezi.
Me një replikë të shkurtër Taravari e pyeti:
Taravari: Po pse veç një?
Elezi: Po veç një qen kishte, qenë të tjerë nuk kishte.
Rashidi: Po çfarë do të bëni ju që ta përmirësoni situatën?
“Do të rregullohet stacionari për qentë, qentë endacak do të mblidhen në stacionarë, do të vaksinohen, sepse shumica e atyre qeneve janë edhe pa vaksina. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur në kompetenca të komunës”, u përgjigj Elezi./ Alsat.mk








