Qeveria dëshiron ta rrisë çmimin e naftës me tarifë të re

Qeveria po shqyrton aplikimin e një çmimi të ri për naftën. Nuk do të jetë rritje e akcizës, por një lloj takse mjedisore, thotë Ministri i Financave Fatmir Besimi. Kur partnerët e koalicionit të dakordohen, do të pasojnë takime dhe konsultime me sektorin e biznesit. Aplikimi eventual i eko-tarifës së re, sipas Ministrit Besimi, do të thotë zhvillim i gjelbër dhe investime në ekologji. Qeveria ka në plan të fillojë me tarifën e re nga muaji tjetër.

Ajo është pjesë e tranzicionit të gjelbër për zhvillimin ekologjik dhe pikërisht për këtë është paraparë fond për zhvillimin ekologjik, respektivisht zhvillimin e gjelbër për projektet ekologjike për transformimin nga burime fosile në burime të ripërtëritshme të energjisë. Ajo është agjendë e miratuar nga Bashkimi Evropian. Ne e kemi pranuar si Qeveri dhe tani po i bëjmë ato përpjekje, sepse ato janë për cilësinë e jetës së qytetarëve”, pohoi Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Dje, opozitarja VMRO DPMNE doli me akuzë se në rishikimin e buxhetit ekziston normë që parashikon rritje të çmimit të naftës për katër denarë. Kështu, opozita thotë se Qeveria do të përpiqet të mbledhë nga qytetarët 54 milion euro për një vit, ose rreth tridhjetë deri në fund të vitit 2021. Nëse kjo ndodh, qeveria e LSDM-së do të ketë rritje të tretë të çmimit të naftës duke rritur akcizën ose tani përmes tarifës së re ekologjike. Personalisht kryeministri Zoran Zaev disa ditë më parë pohoi se thesari i shtetit është i qëndrueshëm dhe nuk parashikohet aplikimi i tatimit të krizës. Qeveria bën përllogaritje nëse ka mundësi për të ulur TVSH-në e energjisë elektrike nga 18 në pesë përqind por tani për tani nuk ka ndonjë qëndrim konkret. Vendimi për këtë masë duhet të merret më së voni në fund të këtij muaji. Kjo masë u propozua vitin e kaluar nga Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe një muaj më parë u aktualizua përsëri nga lideri i opozitës Hristijan Mickoski. Sipas pritjeve, çmimi i energjisë elektrike do të rritet me rreth pesë për qind.

LEXO EDHE:

Back to top button