Qeveria e Kosovës: Mosndëshkimi i Serbisë nga BE dhe SHBA, inkurajon Beogradin

Qeveria e Kosovës: Mosndëshkimi i Serbisë nga BE dhe SHBA, inkurajon Beogradin

Qeveria e Kosovës pret qasje të re nga ndërmjetësit në dialogun me Serbinë. Në ekzekutivin kosovar thonë se pas aktit të agresionit të Serbisë në veri, më 24 shtator, ka një situatë të re në këtë proces dhe se tani nevojitet siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë.

“Jemi vërtet në një situatë të re dhe sigurisht që dialogu duhet të sjell normalizim të plotë të marrëdhënieve. Nuk është dialogu vend ku shtyhen vijat e kuqe të Serbisë apo ku mbetën aty si mburojë. Këtë e kemi pasur prej kur e keni arritur aneksin në Ohër dhe marrëveshjen në Bruksel…Na duhet një qasje e re, na duhet që partnerët tanë t’i qasen normalizimit dhe marrëveshjes me seriozitetin e saj, ashtu që Serbia të kuptojë se çka ka pranuar”, deklaroi Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.

Zulfaj shton se marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit për palën kosovare vazhdon të jetë obligative, pavarësisht se Serbia e ka shkelur në mënyrë flagrante me sulmin terrorist në veri. Këshilltari i Kurtit thotë se provat janë evidente që Serbia qëndron prapa sulmit në veri, andaj duhet të ketë unitet në Bashkimin Evropian që të ndëshkojnë Serbinë.

“Politika e jashtme e BE-së, dinë të mos jetë unike në çështje shumë unike, por mendoj se në këtë pikë kur tashmë provat janë aq evidente, do të duhej të kishte unitet karshi marrjes së masave ndaj Serbisë, sepse po cenohet stabiliteti në Kosovë por edhe në rajon. Do të ishte një inkurajim për Serbinë që të marrë veprime të tilla nëse të tillat nuk ndëshkohen. Ky ka qenë një akt terrorist i Serbisë i cili nëse kalon pa u ndëshkuar është mesazh i qartë jo vetëm për dobësinë për Serbinë që tregohet, por edhe për inkurajimin që mund t’i bëhet presidentit të Serbisë që duke llogaritur në veto të ndryshme brenda BE-së të vazhdojë me një qasje të tillë që do të sjell destabilitet për rajonin”, tha Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.

Më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici në detyrë Afrim Bunjaku ndërsa u plagos polici Alban Rashiti. Ndërkaq, u vranë tre sulmues të grupit terrorist, kurse katër prej tyre u arrestuan. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button