Qeveria e Malit të Zi, në duart e një shqiptari?


Mali i Zi ndodhet para ndërrimit të pushtetit bazuar në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të së dielës ku partia e Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, por që nuk janë të mjaftueshme për formimin e qeverisë së re. Partitë opozitare me orientim pro-serb dhe anti-NATO kanë fituar shumicën e votave dhe mund të formojnë qeverinë nëse vazhdojnë bashkëpunimin pas zgjedhor.  Çelësi i qeverisë do të jetë partia “E bardha në të Zezë” që ka siguruar 5.57 për qind të votave. Kjo parti drejtohet nga Dritan Abazoviq, shqiptar nga Ulqini që ka siguruar shumë vota edhe nga malazezët për shkak të kundërshtimit të politikave të  Gjykanoviqit, por që në anën tjetër mbështet orientimin evropian të këtij vendi.

Koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” ka siguruar 32,54 për qind të votave ndërsa koalicioni “Paqja është kombi ynë” 12.55 për qind të votave. Përfaqësim me dy mandate ka siguruar edhe lista shqiptare, e cila ende nuk ka pozicion të qartë nëse dëshiron ose jo të jetë pjesë e koalicionit opozitar për shkak të politikave antishqiptare. Kuvendi në Mal të Zi numëron 81 ulëse dhe për të siguruar pushtetin nevojiten 41 vota. Gjykanoviq besohet të ketë siguruar 40 mandate ndërsa opozita 41.

Millo Gjykanoviq është në pushtet në Mal të Zi për 30 vjet, por, sipas agjencive perëndimore, këtë vit kjo parti u sfidua fuqishëm nga e djathta e mbështetur edhe nga kampi pro-serb, i cili dëshiron lidhje më të ngushta me Beogradin dhe Moskën.

Rezultati i dobët i partisë së Gjykanoviqit i atribuohet përplasjeve me Kishën Ortodokse Serbe, e cila për muaj të tërë ka mbizotëruar debatin politik në këtë vend. Gjykanoviq ka thënë se pranon rezultatin zgjedhor, por se do të pres rezultatin final.

Bashkimi Evropian beson se Mali i Zi do të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane, që gëzon mbështetjen e qytetarëve, por në këtë moment nuk dëshiron t’i komentojë rezultatet e zgjedhjeve të zhvilluara të dielën. Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se Bashkimi Evropian do të dalë me qëndrimin e tij rreth zgjedhjeve pasi të publikohet raporti i vëzhguesve nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut-ODIHR.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button