Qeveria e re, pas zgjedhjes së nënkryetarëve
Alsat
24.08.2020 15:27
Lidhja Socialdemokrate shprehet e gatshme të dorëzoj në Kuvend propozimin për përbërjen e re qeveritare brenda kësaj jave, por pa precizuar ditën. Kreu i kësaj partie, Zoran Zaev tha se ka kohë. Mandatari për formimin e qeverisë theksoi se fillimisht do të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit dhe të verifikohen mandatet e deputetëve të ardhshëm. Sot, i vetmi që foli nga Socialdemokratët ishte Ministri në largim i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
“Unë besoj sot ose nesër, do të thotë këtyre ditëve, do të dorëzohet propozimi për qeverinë e re dhe shpejtë do të bëhet edhe votimi i qeverisë së re. Kështu që, më së voni javës që vjen do ta kemi funksional pushtetin ekzekutiv. Sa i përket komisioneve, gjithmonë ka qenë praktika që të formohet Komisioni për zgjedhje dhe emërime dhe ai është parakusht që të mund të formohen organet tjera të Kuvendit- deklaroi Damjan Mançevski, LSDM.
Zgjedhja e nënkryetarëve bëhet me marrëveshje mes partive parlamentare por nuk është kusht për votimin e Qeverisë. Madje, gjatë përbërjes së kaluar, nënkryetarët janë zgjedhur një vit pas konstituimit të Kuvendit.
Qeveria e re duhet të votohet nga të paktën 61 deputetë. Ndonëse koalicioni LSDM-BDI kanë arritur ujdi për shumicën parlamentare, ende nuk dihet nëse mosmarrëveshjet brenda degëve të integristëve mund të luhasin këtë votim. Jo zyrtarisht, Alsat mëson se deputeti Izet Mexhiti gjatë ditës takohet me kryetarin e partisë së tij, Ali Ahmeti për të shqyrtuar çdo eventualitet. Nga BDI heshtin.
Të zëshëm edhe sot ishin nga VMRO DPMNE, të cilët thonë se përbërja e re qeveritare ka ricikluar kuadrot e tyre. Opozita ka dilema për propozimet e publikuara të posteve të ministrave.
VMRO DPMNE
“Me rotacionin e kuadrove të vjetra, Zaev vazhdon të mbrojë zinxhirin e krimit dhe korrupsionit të lartë në rangjet e pushtetit.”
Ndërkaq, afati përfundimtar për paraqitjen e propozimit për përbërjen e qeverisë së re është më 2 shtator. Sipas dispozitave, mandatari ka 20 ditë të paraqesë propozim në Parlament për përbërjen e qeverisë së re. Pastaj fillon periudha prej 15 ditësh në të cilën duhet të caktohet seanca e votimit, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë. Edhe nëse përdoren afatet maksimale të përcaktuara, Maqedonia duhet ta ketë Qeverinë e re, e shumta deri më 20 shtator.
Përgatiti: Adnan Qaili