UNICEF / Abuzimi i fëmijëve shqetësues
Gazetare: Amila Rashiti
UNICEF ka publikuar një raport sot, ku tregon se rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç, u ekspozuan ndaj të paktën një forme të abuzimit seksual duke përdorur teknologjinë, vetëm në një vit, në 21 vende të ndryshme të botës.
Gjetjet janë përfshirë në raportin “Përmes Syve të Fëmijëve: Si Teknologjitë Dixhitale Mundësojnë Abuzimin Seksual të Fëmijëve” dhe bazohet në dëshmitë e fëmijëve.
Raporti vlerëson se mbi 15 milionë fëmijë janë ekspozuar ndaj përmbajtjes së padëshiruar seksuale, më saktësisht 9 milionëve u është kërkuar të përfshihen në biseda seksuale ose të ndajnë imazhe seksuale kundër vullnetit të tyre, dhe 4 milionë fëmijëve u janë shpërndarë imazhe seksuale pa pëlqimin e tyre.
“Fëmijët e nënshtruar ndaj këtyre formave të abuzimit kishin katër herë më shumë gjasa të kishin mendime për vetëvrasje, katër herë më shumë gjasa të lëndoheshin dhe raportuan nivele ankthi. Lidhjet janë thellësisht shqetësuese dhe këto ndikime të thella mund të shtrihen përtej incidentit të menjëhershëm, duke ndikuar në shkollimin, marrëdhëniet dhe jetën e përditshme të fëmijëve”, thonë nga Përmes Syve të Fëmijëve.
- Fëmijët që iu nënshtruan abuzimit, katër herë më shumë mendime për vetëvrasje
- Ndikim në shkollim, marrëdhënie dhe jetë
Sipas gjetjeve, pothuajse 60 përqind e rasteve ndodhën në mediat sociale, duke përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp, dhe 14 përqind e rasteve ndodhën në lojërat online, ku karakteristikat, funksionet dhe dizajni i platformave u përdorën për të shfrytëzuar besimin.
Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, informon që shumë fëmijë vuajnë në heshtje, duke mos ditur ku të drejtohen për ndihmë dhe ajo gjithashtu bënë thirrje te të gjithë të rriturit se nuk duhet t’i mbyllin sytë dhe duhet që t’u ofrojnë ndihmë fëmijëve./Alsat.mk.








