Gazetar: Suad Bajrami
Qeveria vendosi për emrat e të besuarve në katër komunat ku më 11 janar do të mbahen zgjedhje të reja pas mos arritjes së censusit.
Në krye të Gostivarit, për të besuarin e saj Qeveria e ka vendosur Fadil Xhelilin. Në Vrapçisht do të jetë Bunjamin Kadriu, në Qendër Zhupë Arjan Ibraim dhe në Mavrovë – Rostushë, Oner Jakupovski.
Sipas kalendarit zgjedhor, fushata zgjedhore për këto katër komuna fillon më 22 dhjetor dhe do të zgjasë deri në mesnatën e 9 janarit.
Ndërkohë, Qeveria pritet që gjatë javës t’i dorëzojë në Kuvend emrat e ministrave të rinj, të cilët do të plotësojnë pozitat e mbetura bosh pas zgjedhjeve lokale. Kryeministri Mickoski sot theksoi që gjatë ditës së nesërme të finalizohet çështja e emrave.
Në pozitën më të fuqishme politike të VLEN-it në ekzekutiv, atë të zv.kryeministrit të parë do të ulet deputeti aktual, Bekim Sali, i cili vjen nga radhët e Alternativës. Ndërkohë, Izet Mexhiti para se të bëhej kryetar i Çairit, mbante edhe postin e ministrit të Ekologjisë, kështu që LD e Mexhitit, duhet të propozojë emër për këtë resor, e që sipas të gjitha gjasave do të jetë Muhamet Hoxha.
Nga ana tjetër, meqë titulli “zëvendëskryeministër i parë” është joformal, atëherë bartësi duhet të ketë një resor. Në këtë rast, jozyrtarisht Sali do të merr postin e zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë që aktualisht drejtohet nga Arben Fetai i ASH-së.
Fetai nga ana tjetër pritet të drejtojë Ministrinë për Çështje Euopiane. Ndërkohë Orhan Murtezani, nga kjo ministri pritet të kalojë në postin e zv.ministrit të mbrojtjes. / Alsat.mk








