Qeveria mori vendim me të cilin mbyllen kazinotë online
Qeveria mori vendim me të cilin mbyllen kazinotë online

Qeveria mbylli lojërat e fatit online. Sipas arsyetimit të organit ekzekutiv, për shkak të veprimeve në kundërshtim me Ligjin për lojërat e fatit, mbyllet Video Lotaria e Re Shtetërore “NOVO VLT” si kompanitë lojëra të fatit në internet “MOZZART”, “77BITS” dhe “VEZUS”. Ky vendim i organit ekzekutiv u bazua në interpretimin autentik që Kuvendi i bëri muaj më parë Ligjit për lojërat e fatit dhe konkluzionit se Lotaria Shtetërore ka ndarë licenca për bixhoz online në kundërshtim me ligjin.
“I ndaluam lejet e dëmshme që qeveria e kaluar e BDI-së dhe LSDM-së ua ndau kompanive serbe, malazeze dhe kompanive të tjera. E ndaluam mundësinë që fëmijët tanë të luajnë bixhoz në telefonat e tyre, në kompjuterët e tyre nga shtëpia dhe nga shkolla”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.
Qeveria obligon subjektin Video Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë- Kazinos Austria që të mbyll platformën “2win.mk” në përputhje me rekomandimet ligjore dhe konkluzionet e Qeverisë për të ndaluar bixhozin online dhe lojërat e tjerat të fatit në internet. Paraprakisht Qeveria i konfiskoi licencat dy kompanive të cilat nuk kanë paguar tatim ndaj shtetit dhe kanë manipuluar qarkullimin financiar. Konstatimi paraprak i Qeverisë ndezi alarmin edhe në Prokurori Publike nga ku kanë njoftuar se kanë konfiskuar prova materiale mbi dyshimet për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore dhe mënyrën se si janë ndarë licencat. Javën e kaluar, Qeveria me kërkesë të Lotarisë Shtetërore ndërpreu kontratën më kompaninë “HEJ” për ruajtjen e terminaleve të kazinove, marrëveshje e lidhur midis HEJ DOOEL Shkup dhe Shoqatës Aksionare për organizimin e lojërave të fatit, Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Lotaria shtetërore për 13 muaj i kishte paguar mbi 300 mijë euro kompanisë “HEJ” për dhënien me qira të ish-restorantit për dasma “Festina” në Vizbeg, i cili ruan terminalet e lojërave të fatit të blera për 19 milionë euro. Lotaria Shtetërore i kishte paguar 25 mijë euro kompanisë “HEJ” për dhënien me qira të hapësirës që nga korriku i vitit të kaluar. Kjo kompani është e njohur për publikun, sepse drejtohej nga njerëz të afërt të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, si dhe njerëz të afërt të ish-deputetit Ismail Jahoski. Nga ajo që tashmë dihet në opinion, grupi hetimor i MPB-së dhe hetues të Prokurorisë së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë kontrolluar të gjithë dokumentacionin që lidhet me shpalljet e publikuara, tenderët, kontratat e lidhura, por edhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues në lidhje me prokurimet publike. Kryeministri Hristijan Mickoski në disa paraqitje kishte deklaruar se vendimet e tilla janë marrë nga figura politike të Qeverisë së kaluar LSDM-BDI. Javën e kaluar, drejtori i Lotarisë Shtetërore Aleksandër Klimovski tha se përveç prishjes së marrëveshjes më kompaninë “HEJ” në lotari do të analizohen edhe punësimet, kontratat dhe tenderët që sipas tij janë të dyshimtë. /Alsat.mk