Qeveria nervoze me grevistët

Qeveria nervoze me grevistët

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për rikthimin e procesit mësimor në rast se Sindikata e Arsimit nuk heq dorë nga greva.

Shaqiri tha se anëtarësia e SASHK-ut duhet ta pranoj vendimin e Qeverisë për rritje të pagave për 10 %, në kopshte dhe arsim në ndërkohë të vazhdojë dialogu social për kërkesat tjera të sindikatës.

“Nëse SASHK vendos sërish për grevë, ne si ministri do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore për mënyrën e realizimit të mësimit. E di që edhe në këtë moment që po flasim, disa mësimdhënës që ishin të përfshirë në grevë vullnetarisht janë rikthyer në mësim për shkak të interesit të fëmijëve dhe jo që janë të kënaqur me atë që ofron Qeveria. Të dhënat për gjendjen reale do të mblidhen gjatë ditës së nesërme, do të shohim pas të martës si do të veprojmë. Por e them përsëri, shpresoj se do të kemi një vendim pozitiv për mësimin e fëmijëve në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Do të mund të negociojmë edhe më tutje për çështje të tjera”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska përsëriti se grevistëve në çerdhe do t’u paguhen vetëm kontributet dhe jo paga e plotë.

“Marrëveshja kolektive përcakton qartë se çfarë ka në rast greve dhe çfarë detyrohet punëdhënësi. E njëjta është e definuar edhe në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës ku thuhet se në kushtet e grevës punëdhënësi është i obliguar të paguajë kontribute për të gjithë ata punëtorë që janë në grevë me bazën më të ulët për pagesën e kontributeve. Neni tjetër i ligjit, 241, i jep mundësi SASHK-ut që të gjithë punëtorëve që janë në grevë t’u paguajë neto pagë”, u shpreh Jovanka Trençevska, ministre e punës dhe politikës sociale.

Qeveria mbrëmë vendosi për rritje të pagave në arsim dhe kopshte për 10 % dhe i bëri thirrje SASHK-ut ta pranojnë këtë ofertë dhe të mundësoj realizimin e procesit mësimor, duke i vënë ata përpara aktit të kryer. Gjithashtu, Qeveria ka angazhuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe asaj të Punës dhe Politikës Sociale që t’i paguajnë pagat e atyre që janë në grevë në përputhje me dispozitat ligjore në kushte greve, që nënkupton pagesën vetëm të kontributeve dhe minusimin e ditëve të papunuara./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button