Qeveria nuk do ta ndihmojë transportin publik në Shkup

Qeveria nuk do ta ndihmojë transportin publik në Shkup

Gazetar: Mefail Ismaili

Qeveria shprehet e prerë. Nuk do t’i subvencionojë autobusët e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik në Shkup dhe të transportuesve privat, të cilët kanë rreth 55 autobusë që punojnë me lëndën djegëse metan, e që llogaritet si gaz ekologjik, shkruan Alsat.

Në përgjigjen për Alsat thonë se NQP dhe transporti publik në Shkup janë në kompetencë të plotë të Qytetit të Shkupit.

“Të gjitha kërkesat e transportuesve duhet të adresohen para së gjithash deri tek autoritetet e Qytetit të Shkupit, të cilët duhet në kohë dhe me përgjegjësi të ofrojnë masa për tejkalimi e situatës”, thonw nga Qeveria.

Nga Qyteti i Shkupit, ishin të pakapshëm për të folur nëse kanë parashikuar ndonjë masë për ndihmë. Ndërsa nga Ndërmarrja për Qarkullim Publik, të cilët kanë 33 autobusë me metan, thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare as nga Qeveria e as nga Qyteti. Por shtojnë se pavarësisht vendimeve të Qeverisë e Qytetit do të ballafaqohen me situatën.

“Ne ndërkohë funksionojmë si deri më tani. Nuk planifikojmë që t’i tërheqim automjetet MAN nga qarkullimi, duke pasur parasysh se momenti ekologjik është më i rëndësishëm e jo ai financiar. Nuk do ta rrisim çmimin e biletave, e për momentin as nuk planifikohet asnjë lloj mase të rendit të vozitjes”, thonw nga NQP.

Ndërsa transportuesit privat, “Slloboda Prevoz” të cilët kanë 13 autobusë me metan, thonë se transportuesit paguajnë taksë për ekologji, andaj duhet të marrin ndihmë nga Qeveria.

“Për shkak se ne në bazë ditore, sipas numrit të automjeteve paguajmë për çdo ditë nga dy mijë euro në llogarinë e tatimit ekologjik. Mendojmë se tani është momenti të mund të intervenohet në këtë pjesë, sepse për ne, tani kjo është e domosdoshme… Pasojat do të jenë ato që do t’i lëshojmë në përdorim autobusët e vjetra të cilat do ta ndotin qytetin në mënyrë plotësuese”, u shpreh Lenin Jovanovski nga Sloboda prevoz.

Nga transportuesi privat Makekspres trans thonë se kanë 8 autobusë me metan, por shtojnë se kanë automjete tjera të mjaftueshme për të mbajtur në rregullat linjat e tyre.

“Zgjidhje është që Qeveria dhe pushteti lokal ti subvencionojnë harxhimet për automjetet me metan, me qëllim që të zvogëlohet ndotja e qytetit”, thanw nga  Makekspres Trans.

Ndërmarrja për Qarkullim publik në Shkup dhe transportuesit privat, kërkuan zyrtarisht nga Qyteti i Shkupit dhe Qeveria që ti subvencionojnë me 50% për shpenzimet për autobusët e tyre të cilët punojnë me metan. Kjo për shkak se disa ditë më parë, çmimi i lëndës djegëse metan, u shtrenjtua për 130 për qind. Më 28 janar Metani është shitur për 50 denarë për litër, ndërsa tani çmimi për një litër arrin në 110 denarë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button