Qeveria nuk jep detaje për rastin “Onishçenko”, opozita kërkon dorëheqjen e Spasovskit

Qeveria nuk jep detaje për rastin “Onishçenko”, opozita kërkon dorëheqjen e Spasovskit

Gazetar: Lluka Andreev

Ende nuk ka zgjidhje për rastin e dhënies së shtetësisë për biznesmenin e dyshimtë ukrainas Oleksandr Onyshçenko, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Ndonëse ishte paralajmëruar për dje, seanca e Qeverisë ku do të referojë numri një i ASK-së, Viktor Dimovski, ishte caktuar për sot.

“Sot kemi seancë të mbyllur të Qeverisë, në të cilën drejtori i ASK-së do të informojë për të gjitha detajet se si është lëshuar shtetësia, përkatësisht si janë siguruar mendimet pozitive. Përtej kësaj nuk mund të komentoj, pasi që nuk mund të jepet informacion nga seancat e mbyllura, sepse është vepër e rëndë penale”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

Kryeministri nuk është përgjigjur nëse ka biseduar dje për rastin me biznesmenin prorus me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Siguri dhe Inteligjencë, David Katler, i cili qëndron për vizitë në vend. Nga ajo që dihet në opinion, pikërisht mendimi i NATO-s është lënë pas dore nga ASK-ja kur janë mbledhur mendimet për pasaportën e Onishçenkos. Ndërkaq, kryeparlamentari Talat Xhaferi ka njoftuar se seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare nuk do të vazhdojë derisa MPB-ja të përgjigjet se si ka ndodhur lëshimi teknik. Në këtë seancë të premten, Dimovski filloi t’u jepte detaje për rastin deputetëve, por qëllimisht apo jo fjalimi u transmetua drejtpërdrejt në YouTube.

Opozita dyshon se ky lëshim është inskenuar nga pushteti, për t’i shërbyer Dimovskit si arsyetim që të mos e vazhdojë raportin para deputetëve. VMRO-DPMNE kërkoi dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për rastin “Onishçenko”.

“Asnjë suspendim i zyrtarëve nuk mund ta heqë fajin nga Spasovski dhe Dimovski. Përveç faktit që Onishçenko është në listën e zezë të SHBA-ve, ai është gjithashtu një person për të cilin ka urdhër të lëshuar nga Ukraina, përkatësisht në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës janë emri dhe të dhënat e këtij personi. Këto të dhëna duhej të kontrolloheshin nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Ministria e Brendshme”, tha Aleksandar Nikolovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga VMRO kërkuan t’i merret shtetësia Onishçenkos. Megjithatë, ende nuk dihet nëse mund t’i konfiskohet fare pasaporta. Sipas Kushtetutës, shtetësia nuk mund t’i hiqet asnjë qytetari, pavarësisht se si është fituar. Shtetësia, sipas ligjit, mund të hiqet vetëm me largim, me kërkesë të personit të caktuar./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button