Qeveria nuk shpalos detaje lidhur me bisedimet me Sofjen

Pas deklaratës së kryeministrit se Maqedonia nuk është larg marrëveshjes me Bullgarinë dhe të liderit të BDI-së, se Shkupi e Sofja kanë shkëmbyer dokumente, Qeveria nuk jep detaje të reja. Ashtu si deri tani, shprehet optimiste se do të arrihet zgjidhje, që nuk do ta cenojë identitetin maqedonas.

https://www.youtube.com/watch?v=4QiNGz53Dsg&feature=youtu.be

Kontaktet dhe shkëmbimet e ideve mes Qeverisë sonë dhe asaj bullgare janë në rrjedhë, sepse të dyja palët po angazhohemi në gjetjen e zgjidhjes. Si për Maqedoninë e Veriut ashtu dhe për Bullgarinë është veçanërisht e rëndësishme të vazhdojë integrimi evropian i rajonit. Andaj me optimizëm i shohim zgjidhjet e mundshme, të cilat do të sigurojnë të ardhmen tonë evropiane, përmes respektimit të plotë të identitetit maqedonas -thonë nga Qeveria.

Ministri i Jashtëm, Osmani nuk u përgjigj për Alsat nëse vërtetë janë shkëmbyer dokumente dhe për çfarë bëhet fjalë, nëse Shkupi i është përgjigjur ofertës bullgare që u parashtrua në Samitin e Sofjes, apo nëse bëhet fjalë për një ofertë të re nga pala e Maqedonisë së Veriut. Për këtë situatë ka reaguar opozita maqedonase, e cila i kërkon Qeverisë të tregojë se çfarë kompromisi është në gjendje të bëjë. VMRO DPMNE-ja kërkon që pushteti ta informojë rreth bisedimeve qoftë edhe në një seancë të mbyllur në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme.

Duke i ditur linjat e kuqe të Qeverisë bullgare, pyesim dhe Zaev menjëherë duhet të përgjigjet: Çfarë përmban kjo ofertë që Qeveria e Zaevit ia dha palës bullgare? Nga çka heq dorë Zaev dhe çfarë dëmi do të durojnë qytetarët dhe shteti shkaku i ofertës së tij për marrëveshje të re dhe zhbllokim të integrimeve evropiane? A ua ka premtuar këtë marrëveshje qytetarëve para zgjedhjeve, a jua ka sqaruar atyre? – deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.

Së fundmi, ambasadorja amerikane, Bërns theksoi rëndësinë e fillimit të negociatave mes Shkupit e BE-së deri në fund të këtij viti, duke kërkuar që çështjet dyplaëshe të zgjidhen jashtë procesit të BE-së. Sofja zyrtare është shprehur e gatshme për dialog me Shkupin, megjithatë është treguar e palëkundur nga kërkesat për respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen 2017-tës, me udhërrëfyes preciz për zbatimin e marrëveshjes dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button