Qindra pacientë në pritje për operime – Ortopedia dhe Oftalmologjia në krye të listave
Qindra pacientë në pritje për operime - Ortopedia dhe Oftalmologjia në krye të listave
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Një javë pas publikimit të regjistrit të ri elektronik për ndërhyrje kirurgjikale, Ortopedia dhe Oftalmologjia janë klinikat me listat më të gjata të pritjes në nivel shtetëror.
Në disa institucione, qindra pacientë presin për operacion te një mjek i vetëm, ndërsa në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë numri ka arritur deri në 600, për shkak të grumbullimit edhe nga e kaluara. Edhe në Shkup, më shumë pacientë në pritje ka në Ortopedi, Oftalmologji dhe Kardiokirurgji.
Sipas drejtorit të “Termini im”, Fikret Shabani, moduli i ri synon të rrisë transparencën dhe të informojë pacientët në çdo kohë për terminet e tyre.
“Pra, data e operacionit të planifikuar është publike dhe mund ta shohë çdo kush, është numri i referencës i cili është i koduar dhe mund ta identifikojë vetëm pacienti që e ka udhëzimin, të tjerë mund ta shohin në cilin specialist, në cilin komunë dhe cilën klinikë ky mjek e ka paraparë ta operojë pacientin… p.sh marrim një specialist, dhe shohim se kjo listë ka pritje prej 171”, tha Fikret Shabani, Drejtor në “Termini im”.
Sipas Shabanit, moduli iri do të përditësohet edhe më të dhëna të tjera në të ardhmen, ndërsa rastet urgjente trajtohen veçmas, pasi janë të rregulluara me ligj.
“…Në të ardhmen mund të shtojmë edhe atributin se kur pacientit i është dhënë udhëzimi dhe kur krijohet data e operacionit, me këtë me automatizëm çdo pacient çdo institucion ose çdo kush që është i interesuar do të shohë se sa është koha e pritjes për një pacient dhe në atë listë a ka pacient që sot e ka marrë udhëzimin dhe nesër e bënë operacionin”, u shpreh Fikret Shabani, Drejtor në “Termini im”.
Lista e pritjes përfshinë 107 institucione publike që kryejnë intervenime kirurgjike. / Alsat.mk








