Qytetarët në Kiev të tmerruar nga situata, gjejnë strehim në metro
Gazetare: Arta Tahiri
Për shkak të sulmeve ruse, shumë ukrainas në kryeqytetin Kiev u strehuan nën tokë, përkatësisht nëpër stacionet e metrove.
Stacionet për një kohë të shkurtër u mbushën me familje dhe fëmijë të shumtë. Edhe përkundër faktit se po tentonin në mënyra të ndryshme të ruanin qetësinë, frika i kishte pushtuar ata.
Banorët e Kievit thonë se strehohen ku mbërrijnë, pasi situata gjithandej është tmerruese.
“Në mëngjes kishte panik totale. Histeri. Lot. Frikë për të afërmit, për më të dashurit. Nuk e kishim të qartë çfarë të bëjmë, ku të ikim ose si të sillemi”, deklaroi Anna Dudka, banore e Kievit.
“Askush nuk kishte menduar se lufta mund të fillonte dhe se në mënyrë direkte do ta marrin Kievin”, tha Anton Mironov, banor i Kievit.
“Jam këtu sepse mendoj se ky është vendi i vetëm për tu strehuar për momentin në Kiev. Të gjitha vendet e tjera janë tmerruese”, u shpreh Bogdan Voytenko, banor i Kievit. /Alsat.mk








