KOSOVË / Qytetarët në kutitë e votimit: Shpresë për fundin e krizës politike

Zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë. Qytetarët votojnë sot për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit, në zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen brenda një periudhe prej vetëm 16 muajsh. Qytetarët urojnë që këto zgjedhje ta nxjerrin vendin përfundimisht nga kriza politike.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi zgjedhor zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e Kosovës.

“Sipas të dhënave të raportuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, deri në këtë kohë, votimi është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor. Votimi në vendvotime po vazhdon në përputhje me procedurat e përcaktuara zgjedhore” – Kreshnik Radoniqi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë rreth 2 milionë qytetarë. Procesi po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime të shpërndara në mbarë territorin e Kosovës.
Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, shumicën më të madhe në Kosovën shtet – nuk sollën marrëveshje për presidentin. Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit, vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button