Qytetarët po i bëjnë përgatitjet e fundit për festën e Bajramit, s’do të mungojë bakllavaja

Qytetarët po i bëjnë përgatitjet e fundit për festën e Bajramit, s’do të mungojë bakllavaja

Gazetare: Evi Shkopi

Besimtarët mysliman sot agjërojnë ditën e fundit të Ramazanit. Nëpër qytet vërehet fluks i shtuar i qytetarëve që sot kanë dal të bëjnë pazarin dhe të përgatiten për Fitër Bajramin. Në këtë festë të rëndësishme fetare në tavolinat e tyre nuk ka se si të mungojë edhe ëmbëlsira tradicionale, bakllavaja. Disa kanë pasur kohë që bakllavanë ta përgatisin në shtëpi, sepse siç thonë shija e asaj që përgatitet në shtëpi është shumë herë më e mirë se bakllavaja e blerë.

“E kemi bërë në shtëpi. Ka aromë më të mirë kur e përgatit në shtëpi. Kur e përgatiti dora jote më ndryshe është, më e mirë, më e natyrshme.”

“Të them të drejtën, në shtëpi. Më e mirë, sepse i hedhim arra më shumë.
– Harxhi a ju ka kushtuar shumë shtrenjtë?
– Harxhi po.
– Sa orë u janë nevojitur për të përgatitur bakllavanë?
– Për një orë e gjysmë, dy.”

“E kemi bërë në shtëpi. Gruaja ime di të gatuajë, prandaj e kemi bërë në shtëpi. Gruaja ime është amvise e mirë dhe di të përgatisë bakllava të mirë. Bakllavaja është më e shijshme kur e përgatit gruaja ime, nga pazari nuk i dihet asnjëherë.”

“Jo, do ta blejmë. Ka shumë punë për ta përgatitur në shtëpi. Më mirë, nuk ka lodhje. Ka punë bakllavaja, nëse do që ta bësh ashtu siç duhet.”

Ashtu si ky qytetar ka edhe shumë të tjerë që mendojnë se është më e leverdishme që bakllavaja të blihet e gatshme, sepse procesi i përgatitjes kërkon kohë dhe durim. Ky është lajm i mirë për ëmbëltoret, të cilat për t’u shërbyer klientëve të tyre kanë përgatitur dhjetëra tepsi me bakllava nga lloje të ndryshme.

“Interesimi është, mund të them se si çdo vit, sepse nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh në çmim. Cilësia është si çdo vit. Sipas rrethit ku jemi, edhe çmimi nuk ka dallim të madh, mund të themi se edhe çmimi nuk ka dallim të madh, mund të themi se nga 5 deri në 10 për qind. Kjo është “ Saraj Burma”, kjo është “ Havuç me arra”, ka edhe “ Havuç me fëstëk” me pjesë më të mëdha. Kjo është “ Dis Bakkllavaja” që është më klasike, domethënë kjo është numër një për Bajram, shitet pak më shumë se të tjerat. Ka edhe nga këto që i kemi me kajmak dhe fëstëk, që ky lloj e ka emrin “ Midje”. Kemi edhe disa lloje nga kjo që është me arra dhe me çokollatë”, deklaroi Besir Toçi, shitës.

Festa e Bajramit vjen pas përfundimi të agjërimit 29 ditor. Falja nëpër xhamitë e gjithë vendit do të bëhet në orën 6 e 26 minuta të mëngjesit të nesërm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button