Së shpejti fillojnë punimet rreth stacionit të filtrimit, vonesat e deritanishme për shkak të mosmarrëveshjeve

Së shpejti fillojnë punimet rreth stacionit të filtrimit, vonesat e deritanishme për shkak të mosmarrëveshjeve

Gazetar: Mefail Ismaili

Vonesat për nënshkrimin e marrëveshjeve për fillimin e ndërtimit të stacionit filtrues të ujërave të zeza në Shkup kanë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve që ka pasur në Qytetin e Shkupit. Kështu deklaron ministrja e Ekologjisë Kaja Shukova, e cila për Alsat konfirmon se marrëveshjet me kompanitë për ndërtim dhe për mbikëqyrje janë nënshkruar dhe punimet pritet të nisin së shpejti.

“Pas mos pajtueshmërive të caktuara që ishin, marrëveshjet për mbikëqyrje dhe marrëveshje për ndërtim të stacionit filtrues për në Shkup janë nënshkruar përfundimisht. Kjo do të thotë se me vendosjen në punë të realizuesit dhe mbikëqyrësit do të mund të fillojë puna e ndërtimit të stacionit filtrues… Procedura vijonte pa pengesa e pa probleme, po kishte ndryshim të kryetares së Qytetit të Shkupit, me siguri i duhej kohë e caktuar që të kalojnë nëpër procedura, t’i kontrollojnë, në këtë pjesë mendoj se u shkaktuan një pjesë e vonesave”, deklaroi Kaja Shukova, ministër e Ekologjisë.

Siç mëson Alsat, kompanitë të cilat do të bëjnë ndërtimin dhe mbikëqyrjen e ndërtimit të Stacionit Filtrues janë një Gjermane dhe Italiane. Por nga qyteti i Shkupit dhe nga Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe Kanalizimit në Shkup vazhdojnë të mbeten të mbyllur për mediat dhe të mos e konfirmojnë as nënshkrimin e marrëveshjeve dhe as fillimin e punimeve. Ndërtimi i Stacionit për pastrimin e ujërave të zeza në Lumin Vardar është projekt që do të kushtojë mbi 180 milionë euro dhe financohet nga Banka Evropiane për Investime, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Ripërtëritje, si dhe nga Komisioni Evropian përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor. Stacioni parashikohet të ndërtohet në hapësirë prej 13 mijë hektarë dhe do të ketë rol që të pastrojë ujin e Lumit nga ndotjet për 90%. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button