Qyteti i Shkupi diskutoi për punën 9-mujore të ndërmarrjeve publike
Gazetare: Evi Shkopi
Këshilltarët e Qytetit të Shkupit kanë diskutuar për punën 9 mujore të Ndërmarrjeve Publike që funksionojnë në kuadër të Shkupit.
Këshilltarët e VMRO-DPMNE- së thanë pas shqyrtimit të raporteve kanë vërejtur parregullsi të shumta në punën e ndërmarrjeve, në shpenzimin e parave, por edhe realizimin e projekteve.
Sipas tyre, drejtoret nuk kanë realizuar punët që kanë pasur në programe, ndërsa paratë e buxhetit i kanë shpenzuar edhe për të blerë telefona të serive të fundit.
Kritika të tilla u thanë për drejtorin e ndërmarrjes “ Ujësjellës dhe Kanalizime”, “Higjiena Komunale”, “ Rrugë dhe Rrugica”, “Parkingjet e Qytetit”.
“Në pjesën e të ardhurave figuron se ka ulje për 600 mijë denarë pavarësisht rritjes së çmimit të ujit. E kujtojmë të gjithë periudhën kur qytetarët u ngritën në protesta. Rritje më të madhe në pjesën e shpenzimeve, sipas raportit ka për harxhime postare. Dy herë më shumë shpenzime për internet. Dhe 200 mijë denarë shpenzime për telefon. Bëhet fjalë për tre telefona celulare më të shtrenjtë dhe 3 më të lirë. Ky me siguri është për drejtorin Samsung s21 fantom silver. Është modeli më i ri i prodhuar dhe kushton rreth 1 mijë euro”, tha Stefan Andonovski, këshilltar nga radhët e VMRO-së.
Këshilltarët nga radhët e LSDM-së ishin më pak të zëshëm, duke mos kritikuar dhe as mbrojtur punën e ndërmarrjeve dhe drejtorëve. Koordonatorja e këtij grupi, Lubica Jançeva, kritikoi kolegët e saj nga VMRO-DPMNE, nga të cilët kërkoi që të mos nënvlerësojnë përfaqësuesit e ndërmarrjeve me pretendimin se nuk janë të përgatitur.
“Nuk është e lejuar që t’ju vihen epitete cilitdo anëtarë të cilitdo institucion. Këta persona janë profesionist dhe për më shumë se një dekad kanë kryer punën e tyre, dikush është edhe para pensionimit. Ju lutem mos lejoni etiketime “Ju kanë dënuar qytetarët”, këta qytetarë e kryejnë me profesionalizëm punën e tyre, a i kanë dënuar qytetarët drejtuesit, kryetarin e komunës dhe shumicën, ajo është çështje tjetër”, pohoi Ljubica Jançeva- koordinatore e këshilltarëve të LSDM-së.
Shumica e këshilltarëve votuan kundër miratimit të raporteve të punës së “ Ujësjellës dhe Kanalizime”, “Higjiena Komunale”, “ Rrugë dhe Rrugica”, “ Parkingjet e Qytetit”. Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danela Arsovska deri tek drejtorët e ndërmarrjeve përcolli porosinë që në seancat tjera të kësaj natyre, të marrin pjesë për të qenë më transparent ndaj qytetarëve. Në foltore nuk doli asnjë nga këshilltarët e partive shqiptare. / Alsat.mk








