Sofja miratoi qëndrimin rreth Maqedonisë, Radev: Kërkesat bullgare, pjesë e kornizës

Bullgaria nuk lëshon pe. Presidenti, Rumen Radev, këmbëngul që të futet një kapitull i veçantë në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut me kritere për fqinjësi të mirë. Sipas tij, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë nuk çon në zgjidhje, kështu që Bullgaria ka të drejtë të kërkojë mjete të tjera për të mbrojtur historinë, gjuhën dhe identitetin e saj.

Bullgaria nuk është kandidate për anëtarësim, por Republika e Maqedonisë së Veriut. Ajo duhet të vendosë vetë nëse do të vazhdojë me ideologjitë e urrejtjes nga e kaluara, apo do të fillojë zhvillimin demokratik – deklaroi Rumen Radev – President i Republikës së Bullgarisë.

Nga ana tjetër, qeveria Bullgare njoftoi se dje në një seancë online të jashtëzakonshme kishte vërtetuar qëndrimin mbi kornizën negociuese për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deklarata e shkurtër nuk dha detaje mbi qëndrimin, por theksohet se Bullgaria është një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE-së.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, sot nuk shprehu optimizëm se mund të ndodhë një kthesë. Ai tha se për tre ditët e ardhshme, në pritje të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, nuk ka asnjë iniciativë konkrete dhe për një kohë kaq të shkurtër ndryshimet që kanë zgjatur për dekada nuk mund të kapërcehen, por ne mund të punojmë për rivendosjen e besimit midis të dyja palëve.

Ne kemi bërë shumë progres në shumë çështje, madje do të thosha 7-8 çështje që ishin të ndjeshme për njërën palë apo tjetrën, por nëse kjo është e mjaftueshme për të zhbllokuar procesin nuk mund ta them në këtë moment, tre ditë janë përpara nesh. Siç e kam thënë disa herë, ne do të punojmë deri në momentin e fundit – u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ai shpjegoi se për të marrë ndonjë vendim në konferencën të martën, ajo duhet të harmonizohet paraprakisht dhe aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Në takimin e ambasadorëve të BE-së më 6 nëntor, Bullgaria kundërshtoi miratimin e kornizës negociuese për vendin, duke argumentuar se i mungojnë garancitë e nevojshme për të përmbushur kërkesat bullgare për çështjet historike, gjuhën maqedonase dhe identitetin. Këshilli i Punëve të Përgjithshme të BE-së, i cili pritet të miratojë kornizën negociatore, ishte planifikuar fillimisht për 10 nëntor, por u shty për të martën më 17 nëntor.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button