Radev kërkon: “Bullgarët në Kushtetutë, sikurse popujt e tjerë”
Gazetar: Lluka Andreev
Nevojitet afat kohor i qartë për të zgjidhur çështjet e hapura politike, tha presidenti bullgar Rumen Radev në një takim me përfaqësuesit e shoqatave bullgare në vend. Ai shtoi se nëse qeveritë e reja në Shkup dhe Sofje shpërfillin çështjet politike, kjo herët a vonë do të shpie drejt bllokimit të integrimit evropian.
“Përpiqem që përfshirja e bullgarëve maqedonas në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në baza të barabarta me popujt e tjerë, dhe kështu garantimi i të drejtave të tyre, të jetë kusht i detyrueshëm që Bullgaria të japë pëlqimin e saj për fillimin e negociatave”, deklaroi Rumen Radev – President i Bullgarisë.
Kryetari i partisë nga Shkupi, Unioni Qytetar Demokratik, Petar Kolev tha se tani vendoset nëse bullgarët e Maqedonisë do të mbeten kategori e dytë e qytetarëve. Ai tha se ishte në Sofje për t’u bindur në pozicionet bullgare, për faktin se kishte mesazhe hezituese nga qeveria bullgare, duke shtuar se kishte marrë mbështetje nga Radev për kërkesë tjetër para fillimit të negociatave.
“Është bërë e qartë se vazhdon të mbështesë kërkesën tonë për ndryshimin e teksteve dhe pasqyrimin e të vërtetës historike ashtu siç është”, tha Petar Kolev – Kryetar i UQD.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja ka kërkuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski që të kërkojë garanci se nuk do të ketë frenim të ri të procesit me, siç thonë, kërkesa të reja të panumërta.
“Kemi informacione se veprimet e Kovaçevskit në procesin e negociatave janë shumë më të thella sesa ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në preambulë. Për tezën tonë flet edhe fakti çfarë ndodhi, ai është kryeministri që po negocion për të refuzuar bashkimin kombëtar”, theksoi Dragan Kovaçki – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Ndërsa opozita nuk beson në qëndrimet negociatore të qeverisë, e cila pretendon se gjuha nuk negociohet, ministri i Jashtëm Bujar Osmani u ul në tryezë me ish-ambasadorët në Sofje dhe siç njoftojnë nga MPJ-ja, ka kërkuar kohezion për çështjet kyçe me interes strategjik të vendit./Alsat.mk








