Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite. Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq gjatë një konference për media në Beograd.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, deklaroi Goran Petronijeviq, avokat i Millan Radoiçiq.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, u shpreh Goran Petronijeviq, avokat i Millan Radoiçiq.

Në letër, Radoiçiq ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”. Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”. Ai e ka njoftuar opinionin se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Avokati i tij e ka mohuar se Radoiçiq është plagosur në Banjskë. Kjo është hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve të 24 shtatorit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button