Rama: Avionët e Serbisë, manovrime teatrale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës në Prishtinë ka dënuar sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin lidhur me target ndërsa lëvizjet ushtarake serbe në Veri i ka quajtur “Manovra teatrale”.

Rama pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se qëndrimi i Shqipërisë është i qartë karshi problemit në dy vendkalime kufitare Kosovë-Serbi duke i dhënë plotësisht të drejtë vendimit për reciprocitet

Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovën sikundër pretendohet nga Beogradi zyrtar, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që do mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serb në Kosovë. Në fakt qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje ju paguhen edhe faturat e energjisë elektrike si askujt askund, jo vetëm në Ballkan por edhe në botë – tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Kryeministri Rama bëri thirrje për dialog mes dy vendeve, por edhe për nevojën e kujdesit me njësitet speciale në Veri për të mos krijuara probleme me miqtë ndërkombëtarë. Rama tha se gjendja në veri edhe njëherë thekson rëndësinë që mund të ketë për rajonin nisma për Ballkanin e Hapur. Kjo nismë sipas tij, nuk e eklipson betejën për njohjen e Kosovës, apo se Ballkani i Hapur nuk mund të jetë i plotë pa njohjen e Kosovës.

Lufta ka mbaruar dhe avionët që vijnë vërdallë atje janë për ushqim propagandistik në Serbi. I thonë një fjale vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh gjaku, familja, e shkuara dhe me fqinjin të lidh fakti se e ke aty sido të jetë. Gjyshja ime thoshte nuk ka shtëpi të lumtur me fqinjë të pakënaqur. Duhet t’i bëjmë të gjitha përpjekjet dhe përpjekja për Ballkanin e Hapur nuk e eklipson betejën për njohjen e Kosovës – deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kryeministrin Rama, njoftoi se gjatë ditës është takuar me komandantin e KFOR-it në Kosovë, me të cilin kanë diskutuar për sigurinë në Veri por u shpreh se nuk ka informacione për ndërhyrje nga forcat e KFOR-it.

Unë nuk kam informacion të tillë për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it në veri. Njësia Speciale nuk është në Bërnjakë dhe Jarinjë në mënyrë që ti gëzohemi kësaj situate, ata janë aty me detyrë që ti mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë – u shpreh Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se ka rritur numrin e patrullimeve në gjithë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 20 shtatori kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia.

Presidenti i Serbisë. Aleksandar Vuçiq ka thënë se Beogradi nuk do të tolerojë presionet dhe sulmet ndaj serbëve në veri ndërsa forcat serbe tashmë janë pozicionuar shumë pranë kufirit me Kosovën.

Isuf Kadriu

LEXO EDHE:

Back to top button