Rama i del në mbrojtje Veliajt
Rama i del në mbrojtje Veliajt

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka komentuar sot arrestimin e kreut të Tiranës Erion Veliaj, një ditë më parë. Rama e quan arrestimin pa gjyq të padrejtë dhe tha se nuk do të heshtë më të kritikojë drejtësinë në punën e saj.
Në vijim, kreu i qeverisë tha se drejtuesi i SPAK, Altin Dumani i “është vënë në shënjestër dhe përditë është i goditur familjarisht me libër shpie”.
“Marrja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një qytet të tërë pa kokën që e kanë vënë çerek milion zgjedhës, është një ngjarje e madhe të cilën unë nuk mund ta kaloj me formulën 5-vjeçare s’kam koment. Drejtësia e re ka hyrë tani më në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm dhe mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj, e palëkundur. Por ama nuk kam më përse të mos i shprehim edhe opinionet kritike që sot në këtë fazë janë të nevojshme për të ndihmuar konsolidimin e drejtësisë së pavarur, e cila jo vetëm të godasë majtas e djathtas kë konsideron të arsyeshme por edhe si një drejtësi me standarde të paqortueshme demokratike Evropiane”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë./ Alsat.mk