Rama: KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës
Rama: KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje që KFOR-i ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës për të parandaluar ndonjë konflikt më të madh, që sipas tij, sot është më i mundshëm se asnjëherë më parë.
Në një konferencë për media të enjten, Rama ka thënë se një gjë të tillë e ka propozuar edhe në samitin e NATO-s.
“Nga ana tjetër, dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Ndaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur larg dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur. Për të parandaluar në çdo mënyrë këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se herë të tjera, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, jo s’kemi trupa apo ndonjë arsye tjetër, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it, shumë më të madhe në trupa dhe me shumë vështirësi”, ka thënë Rama.








