Rama ndryshon mendje, niset sot pasdite në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të udhëtojë drejt Brukselit pasditen e sotme. Lajmin për Ora News e konfirmoi dhe zyra e kryeministrit Edi Rama.

Në samitin e Bashkimit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe të premten (23- 24 qershor) në Bruksel, do t’u ndahet statusi i kandidatit dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, ndërsa do të përsëritet përkushtimi i BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë tashmë është përgatitur drafti i konkluzave që do të miratohen në këtë takim të Këshillit Evropian.

Por, siç qëndrojnë gjërat aktualisht, përveç porosive politike për përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit me BE-në nuk priten vendime konkrete sa i përket nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, apo ndonjë vendim tjetër konkret lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e dokumentit që do të prezantohet në samit.

Nga ky takim do t’i bëhet ftesë Komisionit Evropian, përfaqësuesit të Lartë dhe Këshillit që “të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë procesit të zgjerimit në mënyrën reversibile dhe bazuar në merita”.

Në këtë dokument një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjes së mospajtimeve bilaterale mes vendeve të rajonit.

“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft.

Të enjten në mëngjes zhvillohet edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së./Ora News

LEXO EDHE:

Back to top button