Rama: Në Elbasan do krijojmë auto-moto parkun, do bëhen gara të Formula 1

Rama: Në Elbasan do krijojmë auto-moto parkun, do bëhen gara të Formula 1

Nga Elbasani ku zhvilloi një takim me të rinjtë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të krijohet një auto-moto park ku do të mund të bëhen edhe gara të Formula 1.

“Në Elbasan, për veç të tjerash ne do bëjmë auto-moto parkun, që është një investim jashtëzakonisht strategjik. Auto-moto parku do të bëhet me të gjitha standardet e aprovuara edhe nga FIA, që të mund të bëhen edhe gara të Formula 1. Por një garë e Formula 1, në rast se arrijmë deri aty, se çdo gjë është e mundur, se nuk ia priste mendja njeriu deri para disa vitesh që ne do kishim në Shqipëri një finale europiane futbolli. E patëm! Nëse do arrijmë deri aty, do duhen disa vite dhe është një herë në vit, ama ai auto-moto parku do jetë një vend me shumë mundësi punësimi, për ata që janë me njohur të mira në këtë gjuhën e huaj të teknologjisë.

Auto-moto parku, tani është në garë ndërkombëtare projekti, ndërkohë që puna me zonën fillon, për të krijuar aty një zonë e cila dhe nga pikëpamja mjedisore do jetë një zonë shumë e bukur, do jetë gati në një periudhë kohore 3 vjeçare. Që do të thotë që në momentin që ju jeni drejt përfundimit të shkollës, aty do ketë nevojë për një numër jo të vogël të rinjsh e të rejash që të hyjnë në punë.”

Ndërkaq Rama u ndal edhe te punësimi i tyre dhe konkretisht tek tregu i kodimit dhe programimit.

“Në atë moment je një nga shumë të tjerë por i gatshëm për të hyrë në një treg të kodimit dhe programimit. Mjafton të kesh ambicie dhe durimin të kesh se ku takon ty vendi në atë treg gjigand. Ne po organizojmë të gjithë programet që t’u japim mundësinë që një pjesë e të rinjve të kenë mundësi që të mësojnë kodimin, në një numër shkollash do të futet kurset pasdite do të bëjmë të njëjtën gjë. Po ashtu dhe më fëmijët kemi futur që të mësojmë kodimin. Nëse brenda kësaj dekade do të kemi 20 mijë kodues do të kemi një kapacitet krejt tjetër për s ai përket punësimit cilësor të të rinjve. Teknologjia iu jep mundësi të punësoheni kudo nëpër botë dhe të paguheni disa herë më mirë se kryetari i bashkisë. Për këtë duhet mësuar kodimi. Ne do hapim programet e trajnimit intensiv që të japim dijen e nevojshme që ti të jesh i gatshëm të hysh në tregun e punës si kodues.” u shpreh Rama.

LEXO EDHE:

Back to top button